
Foto: Kaja Kallas
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se është e gatshme të propozojë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, si reagim ndaj asaj që ajo e përshkroi si shtypje barbare të protestave në këtë vend.
“BE-ja tashmë ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Iranit, kundër personave përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut, aktivitete që lidhen me përhapjen bërthamore, si dhe për mbështetjen që Teherani i ka dhënë luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaroi Kallas për gazetën gjermane Die Welt.
“Jam e përgatitur të propozoj sanksione shtesë si reagim ndaj shtypjes barbare të protestuesve nga regjimi”, shtoi ajo.
Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane të Lajmeve, në fazën fillestare pritet të propozohen masa ndëshkuese ndaj personave përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve, përfshirë edhe ministra.
Këto sanksione mund të përfshijnë kufizime udhëtimi dhe ngrirjen e aseteve të tyre brenda juridiksionit të BE-së.
Sipas nënkryetares së Komisionit Evropian dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, qytetarët iranianë po rrezikojnë gjithçka për t’u dëgjuar, ndërsa regjimi ka një histori të gjatë dhe të rëndë të shtypjes së protestave, me forcat e sigurisë që edhe një herë kanë reaguar në mënyrë barbare.
Lajmi kryesor:
'Pirgje trupash para morgjeve', revolta në Iran, 544 të vrarë nga protestat dhe 11 mijë të arrestuar! Protestuesit: Po na vrasin të gjithëve (VIDEO)








