Ish-kryeministrja e Estonisë dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka përjashtuar mundësinë për të kandiduar për presidente të Estonisë në zgjedhjet që pritet të mbahen këtë vjeshtë. Në një intervistë për emisionin “Hommik Anuga” në televizionin estonez ETV, Kallas u pyet nëse do të dëshironte ndonjëherë të bëhej presidente e vendit të saj.
“Më duket se definitivisht nuk jam ai person”, tha ajo, duke shtuar se vazhdon të mendojë shpesh për alternativat që mund të kishte jashtë rolit të saj aktual.
“Udhëtoj në shumë vende të ndryshme dhe më shkon mendja nëse mund të isha ambasadore në njërin prej tyre, por bashkëshorti më thotë se puna e ambasadorit është shumë e qetë për ty”, u shpreh Kallas.
Duke folur për postin si diplomatja më e lartë e Bashkimit Europian, ajo tregoi se ditët e saj janë shumë intensive dhe të mbushura me udhëtime.
“Është emocionuese, por sigurisht që herë pas here duhet të gjesh kohë për të marrë frymë. Duhet ta pranoj se kur njerëzit më thonë: ‘E shkreta, ke kaq shumë fluturime të gjata’, unë mendoj se ato fluturime janë i vetmi vend ku mund të marr frymë në qetësi. Askush nuk vjen me dosje të reja, mund të lexoj një libër pasi mbarojnë të gjitha çështjet e punës dhe herë pas here mund të jem vetëm me mendimet e mia”, tha ajo.
Kallas tha se ndihet më e lumtur kur arrin rezultate konkrete në negociata ndërkombëtare.
“Ka situata interesante kur takon një lider autoritar dhe ke me vete edhe temat për të diskutuar, sepse disa qytetarë europianë janë të burgosur atje ose presin dënimin me vdekje. Dhe nëse takimi shkon mirë, një orë më vonë të thonë: ‘Në rregull, për shkak se takimi shkoi mirë dhe presidenti ju pëlqeu shumë, ai do të lirohet’”, tregoi ajo.
Duke komentuar situatën globale dhe luftën në Ukrainë, Kallas tha se është e vështirë të thuhet nëse Lufta e Tretë Botërore ka nisur.
“Nëse e sheh pas në kohë, gjithçka duket e qartë, por ajo që është e qartë sot është se po jetojmë kohë jashtëzakonisht të komplikuara. Ka zona konflikti kudo dhe shumë prej tyre vijnë nga fakti që kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës, ligji ndërkombëtar nuk u zbatua realisht. Kjo bëri që kushdo që ka dëshirë për territorin e fqinjit apo ide të caktuara të shohë se në fakt nuk ndodh asgjë, ndaj pse të mos vazhdojë përpara”, deklaroi ajo.
Në fund, Kallas pranoi se për politikanët është gjithmonë e rrezikshme të bëjnë humor.
“Nga njëra anë njerëzit thonë se jeni të gjithë robotë, por nëse je një person që bën ndonjëherë shaka, ndëshkohesh menjëherë për këtë”, tha ajo.
Komente











