Profilet në Twitter dhe You Tube i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara janë sulmuar nga një grup që identifikohet si i afërt me Shtetin Islamik. 

Në një mesazh të postuar nga hakerat thuhet: “Ushtarë amerikanë, po vijmë, ruhuni”. Mesazhi mbante firmën e ISIS, një tjetër stemë me të cilën identifikohet Shteti Islamik. 

Disa dokumente ushtarake të brendshme u shfaqën gjithashtu në llogarinë e komandës në rrjetin social Twitter. Centcom deklaroi se po reagon ndaj këtij sulmi me “masat e duhura”. 

Llogaria e saj në Twitter zakonisht shërben për të njoftuar sulmet ndaj ISIS. Sulmi ndodhi teksa presidenti amerikan Barack Obama po mbante një fjalim mbi sigurinë elektronike. 


isis 2

Zëdhënësi i tij Josh Earnest deklaroi se administrata amerikane po e heton sulmin ndaj Centcom. Ai saktësoi se hetimet janë fokusuar në përmasat e ngjarjes dhe vuri në dukje se, ka një diferencë të madhe mes një rrjedhjeje të dhënash dhe një piratimi në profilin e Twitter. 

Ndërkohë, një zyrtar i Pentagonit në kushte anonimati tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se piratimi ishte një turp por nuk përbën një kërcënim për sigurinë. 

Ndërsa në postime të bëra më pas në profilin e Centcom thuhej: “Rrjeti i Pentagonit i sulmuar. Skenar i Kinës” dhe “Rrjeti i Pentagonit i Sulmuar. Skenar korean”. 

Disa nga dokumentet e publikuara përmbanin lista me emrat dhe numrat e telefonëve të anëtarëve të ushtrisë amerikane, si dhe disa harta. 

isis 3

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)