Respektimi i Kodit Rrugor, dhe dhënia e përparësisë kalimtarëve tek vijat e bardha apo me semfaorin jeshil, vazhdon të mbetet një shqetësim për qytetarët dhe policinë rrugore në Tiranë për aksidentet që shkakton.
 
Report Tv sjell një vëzhgim nga kryqëzimet e Tiranës, ku rezulton se jo vetëm që shoferët nuk respektojnë vijat e bardha, por nuk tremben as nga kamera dhe polici për të respektuar kalimtarët çka është detyrim ligjor.
 
Kalimi i rrugës nga një anë në tjetrën, edhe duke përdorur vijat e bardha në kryqëzimet e Tiranës, kthehet në një mision të rrezikshëm.
 
ReportTv ka ndjekur situatën në disa kryqëzime të Tiranës ku lëvizjet e mjeteve dhe këmbësorve marrin të drejtën në të njëjtën kohë nga semafori, duke bërë që ata të përplasen në mes të rrugës, apo qytetarët të kalojnë të rrezikuar pasi shoferët as denjojnë të respektojnë vijat e bardha.

Jo vetëm veturat por dhe transporti publik rrezikon jetën e qytetarëve, një rast i tillë është shënuar në kryqëzimin pas Presidencës, ku drejtuesi i urbanit as që ndaloi për ti dhënë përparësi këmbësorve po me shpejtësi kreu manovrën.

Manovër e gabuar e cila i kushtoi penalitetin sipas Kodit Rrugor, por këtë herë falë telekamerave dhe policit që ndodhej në shërbim. Por këta shkelës rrugorë, në të shumtën e rasteve, nuk kapen dhe pse rrezikojnë jetën e cilitdo do nga ne.
 
Ndërkohë qytetarët shprehen të shqetësuar duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje për këtë situatë.
Edhe grupi i xhirimit, teksa kaloi rrugën me semafor jeshil nga njëra anë në tjetrën, u vu përball shoferëve të cilët nuk respektuan këmbësorin.