Në Bashkimin Evropian sot mjafton që një shtet i vetëm të thotë “jo” dhe një vendim i rëndësishëm bllokohet. Sipas shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ky sistem po e ngadalëson bllokun dhe po e bën të paaftë të reagojë në kohë.

Duke folur në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, Kallas tha se BE-ja duhet të përdorë më shpesh votimin me shumicë të cilësuar. Me fjalë të thjeshta, vendimet duhet të merren edhe kur disa vende janë kundër.

“Unanimiteti do të thotë që jo gjithmonë mund të veprojmë me shpejtësinë që kërkohet.Sigurisht që ka dallime politikash mes vendeve anëtare, dhe kjo është e natyrshme. Por unanimiteti përdoret nga disa si mjet negocimi. Nuk duhet që vetoja e një vendi të përcaktojë politikat për të gjithë të tjerët,” shtoi Kallas.

Çfarë propozoi Kallas në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes?

Ajo tha se kjo nuk është hera e parë që BE-ja ndryshon mënyrën e vendimmarrjes. Në të shkuarën, fusha si drejtësia dhe çështjet e brendshme kanë kaluar nga kompetencë ekskluzive e shteteve, në vendimmarrje të përbashkët evropiane.

Për çështjet ushtarake dhe të sigurisë, Kallas sugjeron që vendet të mos e bllokojnë domosdoshmërisht një vendim, por të tërhiqen pa e penguar atë, kur nuk bien dakord.

Një ide kyçe që ajo hodhi është heqja graduale e vetos dhe kalimi te vendimmarrja me shumicë, sidomos për politikën e jashtme dhe sigurinë.

“Duhet të guxojmë të marrim në konsideratë  një zgjerim gradual të shumicës së kualifikuar në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë” tha ajo.

Kallas tha gjithashtu se BE-ja duhet të zbatojë rregullat që parashikojnë ndihmë të ndërsjellë mes vendeve anëtare, në rast se një shtet përballet me rrezik.

Sipas saj, ministrat e Mbrojtjes duhet të mblidhen më shpesh dhe të diskutojnë jo vetëm për ushtritë, por edhe për industrinë e mbrojtjes dhe strategjinë afatgjatë.

Në fund, mesazhi i saj ishte se vendet e BE-së duhet të mendojnë më pak si shtete të veçanta dhe më shumë si një bashkësi evropiane.

Reagime të ashpra nga Sllovakia dhe Rusia

Në praktikë, BE-ja ka nisur tashmë ta përdorë votimin me shumicë. Vendime të rëndësishme, si kufizimi i importeve të energjisë ruse, janë marrë pa dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare. Pikërisht kjo ka ndezur reagime të forta nga disa qeveri.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka paralajmëruar se vendi i tij do ta çojë çështjen në gjykatë, duke thënë se Brukseli po u merr shteteve të drejtën për të vendosur vetë për çështje jetike, si energjia. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Hungaria.

Fico tha gjithashtu se Bashkimi Evropian ndodhet në një “krizë të thellë” dhe se mund të dalë prej saj vetëm me “udhëheqje të re dhe ide të reja”.

Diplomatja është vënë në qendër të sulmeve si nga Sllovakia, ashtu edhe nga Moska.

Javën e shkuar, Fico kërkoi largimin e Kallas nga posti, duke thënë se aktorë të mëdhenj globalë nuk po e marrin seriozisht. Ai përmendi edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke thënë se ky i fundit ka refuzuar të zhvillojë bisedime me Kallas.

Sipas raportimeve, Kallas ka shkaktuar pakënaqësi në rritje edhe brenda vetë BE-së për mënyrën si ka trajtuar çështje të mëdha ndërkombëtare dhe për fokusin e saj të vazhdueshëm te Rusia.

Nga Moska reagoi edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se as Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të dialogojnë me Kallas. “Si mund të diskutosh diçka me Kaja Kallas?” tha Peskov për mediat, duke shtuar se Brukseli është i mbushur me “funksionarë gjysmë-analfabetë dhe të paaftë”.