Rusia e ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe raketa gjatë natës, duke i vrarë dy njerëz në rajonin e Kievit, ndërsa qyteti jugor i Odesës u sulmua për natën e dytë radhazi, thanë zyrtarët të mërkurën.
"Një burrë dhe një grua u vranë në rajonin e Kievit dhe katër njerëz të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kërkuan ndihmë mjekësore", tha guvernatori Mykola Kalashnyk në Telegram.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi një raketë balistike Iskander-M dhe 146 dronë gjatë natës, 103 prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore. Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, një ndërtesë banimi 17-katëshe u godit, duke pësuar dëme të lehta në çati dhe në dritare në katet e sipërme.
Në Odesa - e cila shpalli një ditë zie pasi një sulm me dronë vrau tre njerëz të martën - tre persona u plagosën, tha kreu i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Lysak.
Infrastruktura e portit në rajonin përreth, ku ndodhen portet e Ukrainës në Detin e Zi, u dëmtua gjithashtu, tha guvernatori rajonal.
"Në qytetin qendror ukrainas të Krivi Rih, dy persona u plagosën nga një sulm me raketa gjatë natës", tha kreu i administratës ushtarake, Oleksandr Vilkul.
Ndërkohë Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa gjatë një konferenve për shtyp në Nju Delhi theksoi se nëse presidenti Trump nuk arrin paqen në Ukrainë, BE do të ndërmarrë veprime.
"Tani duhet të shmangim pengimin e përpjekjeve të Presidentit Trump për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Çdo veprim që mund të ndërmarrim në këtë kohë, si Bashkim Evropian, mund të prishë dhe minojë përpjekjet e Trump. Por padyshim, nëse këto përpjekje nuk çojnë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, ne duhet të përgatitemi për të ndërmarrë veprime të pavarura ose për të punuar me partnerë të tjerë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë", tha Costa.
Lajm në përditësim...
.webp)
Foto e Donald Trump dhe Vladimir Putin në Shtëpinë e Bardhë
Një fotografi e presidentit amerikan, Donald Trump krah presidentit rus, Vladimir Putin, e realizuar gjatë takimit të tyre në Alaska, është vendosur së fundmi në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke ngjallur reagime dhe interpretime të ndryshme në opinionin publik.
Fotoja, e vendosur në mënyrë të dukshme, pasqyron një moment nga takimi dypalësh që u zhvillua në Alaska, një takim i konsideruar me rëndësi simbolike dhe politike, në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve të ftohta diplomatike.
Një grup ekspertësh nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare kanë thënë se numri i viktimave nga Rusia dhe Ukraina mund të arrijnë në 2 milionë në pranverën e këtij viti.
Ekspertët e kësaj qendre me seli në Uashington thanë po ashtu se forcat ruse kanë pësuar gati 1.2 milion viktima, më shumë se çdo fuqi e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kanë përparuar me një ritëm më të ngadaltë se pothuajse çdo fushatë e madhe ofensive në çdo luftë të shekullit të kaluar.
Ata shtuan se Moska ka zhvilluar një fushatë ajrore “shumë shkatërruese” ndaj objektivave ukrainase dhe ka “qenë inovative në përdorimin e dronëve, luftës elektronike dhe në aspekte të tjera të luftës”.
“Por Rusia gjithashtu ka një shkallë të jashtëzakonshme viktimash, duke pësuar gati 1.2 milion viktima në fushën e betejës, përfshirë të vrarët, të plagosurit dhe të zhdukurit midis shkurtit 2022 dhe dhjetorit 2025”, thuhej më tej nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Vetëm në vitin 2025 pati rreth 415,000 viktima ruse”, tha më tej CSIS.
“Viktimat dhe të plagosurit nga Rusia janë gjithashtu "dukshëm më të mëdha" se ato të ukrainasve, thuhet në raport. Forcat e Kievit ka të ngjarë të kenë pësuar "diku midis 500,000 dhe 600,000 viktimave" midis fillimit të luftës dhe dhjetorit të vitit të kaluar.
Viktimat e kombinuara ruse dhe ukrainase mund të jenë deri në 1.8 milionë dhe mund të arrijnë në 2 milionë viktima gjithsej deri në pranverën e vitit 2026”, sipas studiuesve.
CSIS thotë se mund të ketë disa arsye pse viktimat ruse janë kaq të larta, duke përfshirë taktikat dhe stërvitjen e dobët, moralin e ulët dhe një mbrojtje efektive ukrainase.
Instituti për Studimin e Luftës në SHBA ka thënë se Rusisë do t’i duheshin të paktën 18 muaj të tjerë për të pushtuar pjesën e mbetur të rajonit Donbas të Ukrainës, me një ritëm përparimi që është ngadalësuar në javët e fundit.
Sipas këtij Instituti, rajoni i Donetskut i Ukrainës, i cili së bashku me rajonin e Luhanskut të mbajtur nga Rusia përbën Donbasin, do të bjerë në duart e Moskës në gusht të vitit 2027, nëse trupat e Putinit vazhdojnë me këtë ritëm të përparimit.
Po ashtu, Instituti bën të ditur se Rusia "do të duhet të shpenzojë sasi të konsiderueshme burimesh, kohe dhe personeli për të pushtuar pjesën tjetër të Donbasit".
Ky studim vjen ndërsa një raport në Financial Times thoshte se administrata Trump i ka bërë të ditur Ukrainës se garancitë e sigurisë së SHBA-së varen nga fakti që Kievi të bjerë dakord së pari për një marrëveshje paqeje, që ka të ngjarë t’ia lëshojë Donbasin Rusisë.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar kundër raportit, duke e quajtur atë "krejtësisht të rremë".
Anna Kelly, zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se "roli i vetëm i SHBA-së në procesin e paqes është të bashkojë të dyja palët për të arritur një marrëveshje".
Komente











