Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa nga këto fonde Kosova nuk do të përfitojë.

Lidhur me këtë, eksperti i Sigurisë Faik Basha i ftuar në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv tha se pasojat po i ndjejnë qytetarët dhe jo politika.

Ai ka shtuar se problemi kryesor lidhet me mosfunksionimin e institucioneve shtetërore, pasi në shkurt të këtij viti bëhet një vit që Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë funksional, ndërsa qeveria ka vazhduar të jetë në detyrë pa u mandatuar plotësisht për mandatin e ri.

‘Ne dimë që për shkak të disa zhvillimeve, Bashkimi Europian pati disa penalizime por jo deri në këtë pikë sa të përjashtohet nga fondet e Bashkimit Europian dhe mendoj se e gjitha kjo ka ardhur si pasojë pasi në shkurt bën një vit që institucionet e Kosovës, parlamenti nuk funksionon, qeveria është në detyrë, por nuk është mandatuar  dhe nuk ka filluar mandatin e plot Kurti 3 dhe duke mos i dhënë hapësirë dhe mundësi dhe duke mos ratifikuar disa nga marrëveshjet e rëndësishme që ka shteti i Kosovës me Bashkim në Europian, e penalizon për të përfituar nga ky grant që Bashkimi Evropian ka dhënë për vendet e Ballkanit Përëndimor. Bashkimi Europian, kur penalizon një vend e bën nëpërmjet paralajmërime dhe komunikimeve dhe thirrjes në një takim të veçant për ato detyrime që një shtet nuk i ka realizuar dhe në më tej fillojnë me sanksione. Po kur një shtet nuk funksionon pasojat i vuajnë qytetarët jo politikanët’, tha ai.

Teksa u ndal tek përçarja SHBA-BE, Faik Basha tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten partnerët kryesorë strategjikë për pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bashës, ruajtja e unitetit mes BE-së dhe SHBA-së është thelbësore për stabilitetin politik dhe sigurinë në rajon, pasi çdo vakum politik do të shfrytëzohej menjëherë nga Rusia për të forcuar influencën e saj në Ballkan.

'Bashkimi Europian dhe SHBA-të janë partnerët kryesor të pothuajse gjithë vendeve në Ballkanin Perëndimor përjashtim bënë këtu vetëm Serbia, e cila ka ruajtur lidhjet me Rusinë, është një vend satelit i Rusisë, për të ndjekur politika të saj, gjithmonë ka bërë atë Rusia ka dashur të bëjë në Ballkan dhe kjo nuk vjen si pasojë e përplasjes të BE me SHBA. Bashkimi Europian dhe SHBA nuk do kenë asnjëherë një mendësi, për të shkuar në përplasje pasi mund të krijohen hapësira dhe terrene të favorshme për Rusisë për të krijuar influencën e saj në Ballkan’, tha ai.