Sulmet ruse me dronë ndaj Ukrainës vazhduan edhe ndërsa gdhihej e diela duke lënë të paktën 3 të vrarë dhe 15 të plagosur. Sipas forcave ajrore ukrainase, 55 nga 83 dronë të lëshuar nga Rusia u rrëzuan ose u çaktivizuan, por të paktën 25 arritën objektivat dhe goditën 12 zona në Kherson por edhe në Zaporizhzhia. Odesa u godit gjithashtu nga dronët të cilët dëmtuan infrastrukturën hekurudhore.
Në terren, Rusia pretendon tw ketë korrur fitore. Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas Tass thotë se ka marrë fshatin Tsvitkovë në juglindje të Ukrainës, në rajonin e Zaporizhzhias.
Por kjo fundjavë nuk ishte vetëm për dronë. Ishte edhe për diplomaci dhe nerva në Mynih, me sytë te bisedimet trepalëshe të së martës në Gjenevë mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit. Presidenti Volodymyr Zelensky se u takua në Mynih me sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe foli në telefon me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. “Është thelbësore që bisedimet në Gjenevë të jenë produktive”, tha ai, duke shtuar se ekipi i tij do ta paraqesë pozicionin e Ukrainës javën që vjen.
Në sallat e Konferencës së Sigurisë, Zelensky e ngriti tonin ndaj Putinit: “Duket se Putin shpreson të përsërisë Mynihun e vitit 1938”, tha ai. Dhe e mbylli me një fjali që u kap menjëherë nga mediat: “Ai mund ta quajë veten car, por në fakt është skllav i luftës”.
Edhe BE-ja e pati fjalën e saj, dhe jo të butë. Kaja Kallas doli me një mesazh të prerë: “Rusia nuk është superfuqi… ekonomia e saj është copë-copë”. Ajo paralajmëroi se “kërcënimi më i madh” tani është që Moska “të marrë më shumë në tryezën e negociatave se sa ka marrë në luftë,” dhe kërkoi që Europa të hyjë në negociata me kërkesa të qarta.
Një tjetër detaj që s’duhet humbur nga Konferenca e Sigurisë është ajo që tha presidenti i Letonisë Edgars Rinkevics sipas të cilit BE-ja “nuk është gati” t’i japë Ukrainës një datë për anëtarësim. Rinkevics hodhi sytë te Ballkani Perëndimor, duke thënë se blloku 27-anëtarësh “ka humbur kredibilitetin në rajon” duke zvarritur premtimet.
Në të njëjtin linjë alarmi, vendet balltike thanë se “lufta hibride e Rusisë nuk do të mbarojë” edhe nëse mbaron agresioni në Ukrainë
Brenda Ukrainës, doli një tjetër lajm: ish-ministri i Energjisë Herman Galushchenko, u arrestua nën akuzë për korrupsion. Sipas autoritetit anti-korrupsion Nabu, ai u kap në tren “ndërsa po kalonte kufirin” në përpjekje për tu larguar nga vendi. Ai ishte shkarkuar në nëntor të vitit 2025 për një aferë korrupsioni 100 milionë dollarëshe.
E gjithë kjo ndodh në ditën e 1.453-të të luftës: një natë me dronë dhe viktima, dhe një ditë me deklarata që po e shtyjnë gjithçka drejt një pyetjeje të vetme: çfarë do të sjellë Gjeneva, të martën./CorrieredellaSera
Komente









