Situata e luftës në Siri ka ndryshuar shumë gjatë vitit të fundit, pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad dhe ardhjes në pushtet të një qeverie tranzitore që arriti pa vonesa një marrëveshje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën kundër ISIS, për të luftuar çdo qelizë të mbetur të ekstremizmit, që megjithatë, vijojnë të kryejnë sulme të vogla ndaj forcave të sigurisë.
Qeveria siriane po merr në kontroll edhe kampet e mëdha si Al-Hol, dikur me një popullsi prej rreth 70.000 banorë të sistemuar në çadra, një territor ky mjaft i lidhur me vendin tonë. Aty pati me dhjetëra familje shqiptare, shumica të nisur me vullnet të lirë për tu përfshirë si xhihadistë në luftën civile tashmë të përfunduar.
I tillë ishte dhe Shkëlzen Dumani. Ai humbi jetën në luftë pak pas vitit 2014, kur mori me vete në Siri, duke i rrëmbyer, dy fëmijët e mitur, Evën 9 vjec dhe Endrin në atë kohë 7. Më i vogli pati fatin të kthehet pranë nënës në tetor të 2020-ës, në një operacion të Shqipërisë me ndihmën edhe të partnerëve që arritën ta nxjerrin nga kampi. Në Al-Hol, konsideruar kampi i ferrit, mbeti Eva Dumani. Ish-kreu i anti-terrorit në policinë e Shtetit, Gledis Nano, tha për Report Tv, se arriti ta shohë Evën e vogël në një çadër me të vëllanë, por pa në sytë e saj frikën për tu kthyer në Shqipëri. Familjet kujdestare, brenda kampit me kushte thuajse çnjerëzore, i indoktrinonin se nëse ktheheshin në vendet e tyre, askush nuk do i linte të praktikonin fenë islame. Kështu, Eva mbeti atje, e mbuluar me shami, po ashtu siç u kthye në krahët e nënës së saj në Tiranë, të shtunën e këtij 14 shkurti.
Por si ia doli Eva Dumani, sot 21-vjeçare të largohet nga kampi sirian?
Burime për Report Tv, thanë se Eva është ndihmuar nga grupe të trafikut të qenieve njerëzore, për të kaluar në mënyrë ilegale, nga Siria, në kufirin turk.
Pa një pasaportë shqiptare në dorë, e larguar nga Tirana prej vitit të largët 2014, dhe e vetme përballë autoriteteve turke që mund të ngrinin ndaj saj dyshime për terrorizëm, burimet thanë se Eva Dumani telefonoi dajën e saj, Xhetan Ndregjonin, familjarin e përkushtuar që nuk u ndal për të kthyer në atdhe nipin e mbesën. Me rrezikun se mund të ndalohej nga autoritetet turke, për të ardhur në Shqipëri, u desh ndihma e shtetit shqiptar.
Komunikimi me palën turke, përmes kanaleve diplomatike, ka qenë kyç për sjelljen e saj në vend, thanë burimet. Të njëjtat burime, theksojnë se aktualisht, të identifikuar janë edhe 22 shqiptarë të tjerë të cilët kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, 10 burra të tjerë shqiptarë në burgje dhe një pjesë tjetër të cilëve nuk u dihet fati.
Për 22 gratë e fëmijët shqiptarë, burimet thonë se dyshimet janë të jenë larguar nga kampet dhe të jenë strehuar në familje të tjera vendase. Herët apo vonë, edhe ato mund të marrin të njëjtën rrugë kthimi si Eva Dumani, drejt Turqisë në mënyrë ilegale, që më tej me ndihmën e autoriteteve shqiptare, të vijnë në atdhe.
Megjithatë, nëse nuk ekziston vullneti i tyre për tu kthyer, lokalizimi i tyre është shumë më i vështirë nga autoritetet shqiptare, duke qenë se janë të shpërndarë dhe jashtë kampeve. Vështirësia qëndron edhe në faktin e vënies së komunikimit me autoritetet të reja siriane, të cilat akoma nuk janë formësuar plotësisht pas ndryshimit të sistemit.
Në 4 operacione të mëparshme që janë zhvilluar në total nga 2019-202, ku janë shpëtuar 38 gra dhe fëmijë, këta shqiptarë të mbetur në Siri, nuk kanë pranuar në mënyrë kategorike të kthehen dhe janë fshehur...
Komente







Na hapet barkun me keto lajme! Kete bunder terroriste po e beni heroine?!
Përgjigju