Disa ditë më parë, deputetët e Komisionit të Shëndetësisë kallëzuan penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha për përhapje të informacioneve të rreme që ngjallin panik në lidhje me koronavirusin. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila më pas ia ka përcjellë Prokurorisë së Tiranës për verifikim, nëse ka apo jo elemente të veprës penale. Në shkresën e firmosur nga prokurori Adnand Xholi referohen nenet 74, 76 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale, për kompetencat lëndore dhe kallëzimet që bëhen nga shtetasit. Por, Kushtetuta dhe legjislacioni penal janë shumë të qartë në këtë rast: çdo akuzë ndaj ish-kryeministrave verifikohet nga SPAK dhe gjykohet nga Gjykatat e Posaçme. Vepra penale e pretenduar nga deputetët se është kryer nga Berisha është në kompetencë të prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm, por vetë Berisha, për shkak të cilësisë së ish-kryeministrit, ish-presidentit dhe ish-deputetit është subjekt i SPAK-ut.

Edhe Partia Demokratike, kallëzimet penale ndaj ministrave dhe ish-ministrave të mazhorancës i ka referuar në SPAK, ndonëse veprat penale të pretenduara nga PD janë në kompetencë të prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm. Situata të tilla adresohen nga neni 135 i Kushtetutës së ndryshuar në korrik të vitit 2016, ku parashikohen të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët në kompetencë të SPAK dhe Gjykata Secila. Neni 135 i Kushtetutës thekon se çdo akuzë penale ndaj ish-kryeministrave gjykohet nga Gjykata e Posaçme. Por, gjykatat e Posaçme shqyrtojnë  vetëm dosjet e referuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha vijon fushatën e egër të dezinformimit, me lajme të rreme dhe video të montuara, duke ngjallur panik dhe çoroditje për koronavirusin, mbetet e paqartë se pse SPAK nuk ka marrë në shqyrtim kallëzimin penal ndaj tij, për të parë nëse ka apo jo elemente të veprës penale.