Pak ditë më parë avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, publikoi një dokument, për të cilin tha se tregon që kallëzimi ndaj të parit të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, nuk është bërë vetëm nga Nesti Angoni, por edhe nga një tjetër person që nuk ekziston “Nasta Pëllumbi”.

Lidhur me këtë pretendim, ish-prokurori Ervin Karanxha deklaroi në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, se në bazë të nenit 194 të kodit të procedurës penale, dokumentet anonime nuk mund të përdoren për të bërë një kallëzim penal.

Po ashtu me ironi Karanxha tha se këto kallëzimet anonime të kujtojnë komedinë ‘Pallati 176’, ku letrën baltosëse e shkroi vetë ‘miku që i donte të mirën’.

Marsela Karapanço: A mund të merret për provë apo indicie një denoncim i tillë, kur të paktën nga kërkimet e palës mbrojtëse nuk rezulton që ‘Nasta Pëllumbi’ nuk rezulton që të jetë në gjendjen civile si person?

Ervin Karanxha: Përgjigja e pyetjes suaj gjendet në nenin 194 të kodit të procedurës penale. Dokumentet anonime nuk mund të përdoren. Dokumentat anonimë nuk mund të përdoren. Sepse një person, kushdo qoftë që bën një kallëzim në organet e ndjekjes penale, nuk ka pse fshihet me emrat Nesti dhe Nasta. Duke qenë se emrat janë të ngjashëm, tregon se kemi të bëjmë me të njëjtën dorë. Këto dokumenta nuk mund të përdoren. A mund të regjistrohet procedimi penal me një letër anonime? Me një person të panjohur? Sepse ai që është burrë dhe që e ndjen përgjegjësinë qytetare, shkon me emër, me mbiemër, me firmë dhe vulë, s’ka pse bën letër anonime. Këto letra anonime na kujtonë Pallatin 176 (nga një mik, që letrën e kishte bërë vetë).

Na ana tjetër, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca është shprehur se ka një procedurë që SPAK duhet të ndiqte për të shkuar deri te Veliaj dhe jo të ecte me hamendësime.

Kjo pasi sipas Ndrecës, nëse SPAK nis hetimet me paragjykime për kryebashkiakun Veliaj, do të thotë se i gjithë procesi është i paragjykuar.

Ndreca tha më tej se Veliaj është i pari zyrtar në Shqipëri të cilit i është bërë vetting penal.

Marsela Karapanço: Mirë, por dikush në këtë moment dikush mund të pyesë ‘për çfarë duhen gjurmët kur ne kemi gjurmët përpara?’ Pra kur ata mund të japin fakte dhe të merren me kush e ka bërë si emër apo jo?

Plarent Ndreca: Para se të shkojmë te ujku, ka një procedurë si shkohet te ujku. Nuk shkohet te ujku, sepse ti mendon se aty është ujku. Ti duhet të shkosh aty për të gjetur të vërtetën, për të gjetur veprën penale, pastaj autorin e veprës penale. Nëse ti ecën me paragjykimin se ‘aty është ujku’, do të thotë se ti ke bërë një proces tërësisht të paragjykuar. Pra ti je drejtuar drejt individit për të hetuar individin. Pra siç rezulton është hetuar individi qartësisht, sepse është i pari zyrtar në Shqipëri të cilit i është bërë një vetting penal. Pra të gjithë gjyqtarë e prokurorë kanë bërë vetting administrativ, ndërsa Veliajt i është bërë vetting penal. Pra janë përdorur instrumenta penal për të bërë një vetting. Pra duket që nuk është shqyrtuar e vërteta, por është hetuar individi.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.


Lajmi kryesor:

Kallëzimi nga ‘Nasta Pëllumbi’, Ndreca: Narrativa penale ndaj Veliajt u ndërtua nga një person inekzistent! Hetimi s’kishte si qëllim të ‘peshkonte’ të vërtetën