Kalo: Operacionet tek ne
bëhen pa firmën epacientit

Kalo: Operacionet tek ne<br />bëhen pa firmën epacientit
TIRANË - Mjekët shqiptarë ende e konsiderojnë veten superiorë ndaj pacientit. Ata duhet të edukohen që të flasin me pacientin përpara se të bëjnë një ndërhyrje të çfarëdo lloj natyre, duke kursyer më pas, jo vetëm akuzat nga ana e pacientëve, por edhe kosto morale për të dy palët”. Kështu deklaron për “Shqiptarja.com”, Isuf Kalo, kreu i Qendrës Kombëtare të Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore (QKCSA) në vendin tonë, pas denoncimit të Jorgjije Ikonomit në Shqiptarja.com dhe TV A1 Report se i është hequr gjoksi pa u informuar më parë nga mjeku.

Ai pranon se praktikat e tregimit të vërtetës pacientit, është lënë krejtësisht pas dore në vendin tonë, duke ia deleguar këtë përgjegjësi të afërmëve, ndërkohë që në mbarë botën e zhvilluar, është pacienti që merr vetë përgjegjësitë përsipër. “Në vendin tonë kjo praktikë është difektoze. Përcaktohet qartë që vetëm nëse i sëmuri është në gjendje kome, nuk është i aftë mendërisht, apo nuk ka mbushur moshën për të marrë vendime të rëndësishme, mund të kërkohet miratimi i familjarëve.

Në çdo rast tjetër duhet miratimi i vetë të sëmurit, procedurë kjo që në vendin tonë, për fat të keq, nuk ndiqet. Unë para ca kohësh kam bërë një vëzhgim në QSUT, dhe kam marrë 10 kartela të rastësishme për të verifikuar pikërisht këtë pikë. Në të gjitha rastet kishin firmosur familjarët. Unë mendoj se shefat e shërbimeve, nuk duhet ta lënë jashtë vëmendjeje këtë element të rëndësishëm dhe të konsiderojnë problem vetëm mungesën e medikamenteve.

Nuk është aspak kështu. Për fat të keq, për shkak të një kulture maskiliste që kemi, ku gruaja kryesisht në fshat, por jo vetëm, edhe fëmija, konsiderohet si i nënshtruar dhe çdo gjë e merr përsipër kryefamiljari: ai takohet me mjekun, atij i thuhet sëmundja, ai firmos në kartelë për futjen në operacion, kjo kulturë ka ndikuar edhe mjekët. Pra unë mendoj që duhen edukuar pacientët për të vendosur vetë për trupin e tyre, por së pari duhet ta nisim me mjekët.

Duhet të marrë fund praktika ku mjekët e konsiderojnë veten superiorë ndaj pacientit, ku nuk harxhojnë shumë kohë që t’i shpjegojnë dhe i fusin në sallën e operacionit, pa i shpjeguar mirë se cilat janë rreziqet që mund të ndodhin. Në këtë kuadër ne kemi nisur një projekt pilot me disa nga spitalet publike që mjeku jo vetëm ti marrë firmën pacientit, për të qetësuar ndërgjegjen e tij, por ta sqarojë pikë për pikë se çfarë do të ndodhë dhe t’i marrë miratimin pasi ta ketë shpjeguar për çdo rrezik të mundshëm. Ne e quajmë “konsensus pas informimit”. Kjo pasi çështja e hedhjes së firmës nuk është kaq e thjeshtë.

Mund të jenë të ndërlidhur interesa të ndryshme: si ta zëmë çështje pronësie, çështje trashëgimie, ku firma e të afërmit merr një rëndësi që i tejkalon përmasat e shëndetit. Ndaj duhet të firmosë vetë pacienti”, - na shpjegon Isuf Kalo.

Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

PAMJET/ Himara dhe Potami “pushtohen” nga buburrecët! Gjenden kudo, alarmohen pushuesit

PAMJET/ Himara dhe Potami “pushtohen” nga buburrecët! Gjenden kudo, alarmohen pushuesit