Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokuroren e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Lindita Male e cila u konfirmua në detyrë.
Përmes një njoftimi, Komisioneri Publik, thotë se e ka ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe thekson se shkaqet e ankimimit të merren në shqyrtim, nga Kolegji i Posaçëm i Aplikimit, pasi sipas tij, në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, paraqiten rrethana ligjore, që e bëjnë të cënueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Ziguri u përball më 8 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Zigurin u kryesua nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Njoftimi i plotë:
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), me funksion prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose ndryshimin e tij.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.