KORCE- Në ditën e dytë të aplikimeve, të shumtë janë fermerët e blegtorët nga Korça që janë paraqitur pranë Drejtorisë së Bujqësisë për të aplikuar në skemën mbështetëse.

Subvencionet i konsiderojnë të rëndësishme, por nuk mungojnë ankesat për vështirësitë procedurale dhe koston shtesë për dokumentet.

“Sot na del problem se sasia duhet të jetë 50 krerë, ndërsa ne kemi 49 dhi. Por kemi edhe të tjera që do t’i matrikulojmë, por duhet të vijë veterineri. Do rikthehemi sërish për aplikim se ka afat deri një muaj”, tha një blegtor.

Nga ana tjetër, fermerët e rinj që sapo kanë investuar në bujqësi nuk plotësojnë kriteret.

“Unë kam vetëm 5 dynym, por nuk e përfitoj subvencionin. Më thanë që të marr një kontratë qiraje, por nuk më leverdis të marr toka të tjera me qira, kështu që do ta lë fare”, tha një tjetër.

Edhe drejtori i Bujqësisë pranon faktin se dokumentacioni mbetet një nga shqetësimet kryesore të fermerëve.

“Po kanë vështirësi. Bëhet fjalë për dokumentin e kontratës që bëhet me qiramarrësin e tokës. Kontrata ndërmjet të dyve, pra qiramarrësit dhe qiradhënësit, duhet të bëhet para kryetarit të njësisë administrative dhe më pas njihet nga ana jonë”, tha Vullnet Gjolla, drejtor i Bujqësisë në Korçë.

Gjatë vitit të kaluar, rreth 14,500 fermerë e blegtorë kanë përfituar nga skema e subvencioneve në bujqësi.