Lëvizjet në pankinat e futbollit italian kanë nisur me ritme të shpejta, ndërsa emra të njohur pritet të ndryshojnë skuadër për sezonin e ri në Serie A.
Trajneri Maurizio Sarri duket pranë largimit nga Lazio, pavarësisht se kontrata e tij me klubin bardhekaltër skadon pas dy vitesh. Pas fitores 2-1 ndaj Pisas në 'Olimpico', tekniku italian pranoi publikisht pakënaqësitë me drejtuesit e klubit, duke theksuar se pret një takim me presidentin Claudio Lotito për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen e ndarjes.
Sipas mediave italiane, Sarri pritet të marrë drejtimin e Atalantës, ku do të firmosë një kontratë tre vjeçare dhe të zëvendësojë Raffaele Palladinon. Në projektin e ri të klubit bergamask pritet të bashkohet edhe Cristiano Giuntoli në rolin e drejtorit sportiv, duke rikthyer bashkëpunimin e suksesshëm me Sarrin nga koha te Napoli.
Konflikti mes Sarrit dhe presidentit Lotito lidhet kryesisht me merkaton, pasi trajneri pretendon se drejtuesit nuk mbajtën premtimet për afrime gjatë merkatos së janarit. Madje, sipas raportimeve, Lotito po shqyrton edhe mundësinë e kërkimit të një dëmshpërblimi për deklaratat e fundit të teknikut.
Në anën tjetër, Lazio ka lëvizur shpejt për të gjetur pasuesin e trajnerit italian. Klubi kryeqytetas ka arritur një marrëveshje paraprake me Gennaro Gattuson, i cili pritet të firmosë një kontratë dy vjeçare.
Gattuso rikthehet kështu në Serie A pas eksperiencave të mëparshme me Milanin dhe Napolin, ndërsa së fundmi ishte në krye të kombëtares italiane, aventurë që u mbyll pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
Komente








