Studiuesi Gjovalin Shkurtaj ka ndarë disa kujtime me Rexhep Qosjan, i cili u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare. Ai flet për njohjen e hershme me të prej viteve ’80, mikpritjen e tij të ngrohtë në Prishtinë, prej së cilës ktheheshin gjithnjë me libra të rinj. Mdje, disa prej tyre mbajnë autografin e Qosjas, thotë Shkurtaj, i cili nënvizon pasurinë madhështore që akademiku i la historisë, letërsisë e kulturës shqiptare.

“Lumtumirë Akademikut Rexhep Qosja,

Dhimbje, vlerësim e nderim për ndarjen nga jeta të profesor Rexhep Qosjes, studiuesit, shkrimtarit, atdhetarit dhe Shqiptarit të Madh.

E njihja qysh në vitet ‘80 kur shkonim në Kosovë për kërkime dialektologjike. Ai na ka pritur e mirëpritur sipas Protokollit të shkëmbimeve shkencore e arsimore. Gjithmonë i mirësjellshëm e i buzëqeshur.

Gjithmonë serioz e vlerësues i punëve për të cilat kishim vajtur atje, kurdoherë rrezatues i dashamirësisë dhe gatishmërisë për shqipen e shqiptarinë.

Sa herë shkonim në Prishtinë ktheheshim me shumë libra të rinj, ndër të cilët me shumë kërshëri e gëzim merrnim librat e Rexhep Qoses. Disa prej tyre i kam dhe me autografin e shkruar me dorën e tij.

Ai shkroi e botoi aq shumë e në atë larmi tematike e duke i lënë Kosovës, Shqipërisë dhe krejt Kombit Shqiptar një pasuri  pak të thuash madhore e madhështore për historinë, letërsinë, gjuhën shqipe e kulturën shqiptare.

Ngushëllime familjarëve e të gjithë atyre që e deshën dhe do ta kujtojnë gjithmonë për çfarë përfaqësonte dhe për ato që synonte e i mbronte.

I qoftë  e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut dhe qoftë i paharrueshëm”, shkruan Shkurtaj.


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Rexhep Qosja, akademiku i njohur shuhet në moshën 90-vjeçare! Familja: La amanet për ceremoni private! Politika: Shqiptar i rrallë