“Kam marrë një mesazh nga Moska”, kjo deklaratë jashtë protokollit e presidentit serb Aleksandar Vuçiç gjatë takimit të mbrëmjes së djeshme në kryeqytetin belg me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe António Costa, ka nxitur diskutime në Bruksel.
Kamerat kapën fjalët e Vuçiç gjatë fotos tradicionale që paraprin takimet. Presidenti serb iu drejtua me mikrofon të hapur Von Der Leyen, e cila, në siklet iu përgjigj: “presim… presim derisa…”, pa përfunduar fjalinë.
The mic is always hot. Serbia’s president Vucic last night «I got a message from Moscow now…» von der Leyen aware of cameras «Let’s…let’s wait till we are…» pic.twitter.com/YoDuGOF44R
— Maria Tadeo (@mariatad) December 11, 2025
Gjatë darkës së punës, liderët diskutuan për përparimet e Beogradit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Diskutuam për rëndësinë e përshpejtimit të reformave, veçanërisht në sektorët e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave” dhe “theksuam se zgjerimi është një domosdoshmëri gjeostrategjike”, shkruan në Tëitter von der Leyen dhe Costa, duke nënvizuar “nevojën që Serbia të harmonizohet më tej me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
Drejtuesit e BE-së mirëpritën “masat e marra nga Serbia për të diversifikuar burimet dhe rrugët e saj energjetike dhe për të reduktuar varësinë nga Rusia, e cila është treguar e pabesueshme herë pas here”.
“Evropa ka treguar vazhdimisht solidaritet ndaj Serbisë përmes investimeve të rëndësishme në infrastrukturën energjetike dhe mbështetjes për familjet e pambrojtura”, shtuan ata, duke nënvizuar angazhimin e plotë të BE-së për “të parë një Serbi demokratike brenda BE-së”.
Java e ardhshme në Bruksel do të mbahet samiti i Ballkanit Perëndimor, i cili paraprin samitin e liderëve evropianë.
Komente





