Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar gjatë mesnatës në Kamëz.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kodrë-Haxhë” rreth orës 1:20 minuta të natës ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të një makine tip “Audi” e cila ishte e parkuar.

Makina ka qenë në pronësi të Mehmet Cokut dhe nga të shtënat sipas Policisë, nuk ka persona të lënduar. Autorët kanë qëlluar gjatë natës në drejtim të makinës dhe sipas hetuesve, një veprim i tillë është bërë për të paralajmëruar Mehmet Cokun.

Pronari i makinës është marrë në pyetje dhe ka thënë se nuk ka konflikt me njeri. “Nuk e di kush ka qëlluar në drejtim të makinës, nuk dyshoj te njeri, pasi nuk kam konflikte”.

Ndërkohë burime nga Policia e Tiranës thanë për Report TV se shkak i këtij paralajmërimi mund të jetë një konflikt pronësie që Mehmet Coku ka me disa persona.

S'ka persona të lënduar
Nga ngjarja nuk ka njerëz të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e ngjarjes. Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje.

Njoftimi i policisë:
Më datë 31.07.2017, rreth orës 01:20, numrin e Emergjencave 112 ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen “Kodër – Haxhë”, në Kamëz.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe nga hetimet paraprake ka rezultuar se persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me breshëri arme zjarri, në mjetin e parkuar tip ” Audi “, në pronësi të shtetasit M.C. Nuk ka patur dëmtime në njerëz. Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja arme.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com