Kamionët Rusë me ndihma humanitare (ujë, ushqime dhe medikamente) kanë mbërritur në kufirin Lindor të Ukrainës, që kontrollohet nga separatistët pro-Rusë. Megjithatë ende nuk është vendosur nëse do të mund të hynë brenda territorit të Ukrainës, pasi Kryqi i Kuq që duhet të bëjë verifikim e automjeteve nuk ka dhënë ende garanci për lejimin e tyre. 

Qeveria e Ukrainës e ka vlerësuar misionin humanitar të Rusisë, megjithatë për shkak se dyshon se mund të përdoret si “kalë troje” për të futur trupa ushtarake në vend apo për të patur një pretekst për ndërhyrje të armatosur, ka vendosur që ta lërë në vlerësimin e Kryqit të Kuq nëse ky mision është humanitar apo jo. 

Forcat ushtarake Ukrainase raportojnë se separatistët kanë goditur një avion qeveritar tip Mig-29, në afërsi të qytetit të mbajtur nga rebelët Rusë, në Luhansk. Për fat piloti ka mundur të hidhet dhe është jashtë rrezikut për jetën, por ndërkohë raportohet për 10 civilë të vrarë gjatë natës në Donetsk. 

Pas incidenteve të tilla të përsëritura, Ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës kanë programuar të mbajnë një takim për të biseduar mbi krizën në Ukrainën Lindore në Berlin.

Redaksia Online