RUSI- Sekretari rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu ka siguruar homologun e tij amerikan Chuck Hagel se nuk ka ushtarë apo armatime në 300 kamionët me ndihma humanitare për Ukrainën Lindore. Ky lajm vjen nga Pentagoni, i cili thotë se Hagel, me anë të një bisede telefonike i ka kërkuar sqarime homologut të tij rus në lidhje me karvanin e diskutueshëm të kamionëve.
 
Shoygu mësohet t’i ketë thënë Hagel se karvani, i cili ndodhet aktualisht i bllokuar në kufi, nuk po përdorej si pretekst për të ndërhyrë më tej në Ukrainë.
 
Një ditë më parë, ministrat e jashtëm të BE lëshuan një deklaratë duke thënë se “çdo veprim i njëanshëm ushtarak i Rusisë në Ukrainë, nën çdo pretekst, duke përfshirë edhe atë humanitar, do të konsiderohet nga BE si shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare”.
 
Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel, mësohet t’i ketë kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike t’i japë fund qarkullimit të mallrave ushtarakë, këshilltarëve dhe personelit të armatosur në kufi.
 
Nga ana tjetër, qeveria ruse ka mohuar vazhdimisht armatosjen ose ndihmat ndaj rebelëve pro-rusë që kanë marrë kontrollin në lindje të Ukrainës.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)