30-vjeçari Mohamed Lotfi, me origjinë nga Egjipti, tentoi të reagonte me lëvizje të forta të timonit të kamionit pompë betoni teksa po lëvizte në drejtimin nga Farka drejt rrethrrotullimit të TEG, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur aksidentin e tmerrshëm që i kushtoi jetën atij dhe bashkëkombësit tjetër Mohamed Ali, 44 vjeç. Megjithatë, asnjë shenjë apo tentativë frenimi nuk u bë, çka sjell pikëpyetje të shumta për shkakun e përplasjes fatale.

Hetuesit tashmë e kanë të qartë që shenjat e lëna në asfalt i përkasin mjetit tip “Volkswagen”, i cili ishte në rrethrrotullim, në momentin kur u tërhoq zvarrë nga makina pompë betoni. Si pasojë, mbeti i dëmtuar Roland Nuri, 28 vjeç, mrekullisht pa dëme të rënda.

Ekspertiza përfundimtare e shkaqeve të aksidentit pritet të vonojë të paktën 2 javë, duke pasur parasysh edhe copëtimin e mjetit të madh, i cili ua vështirëson punën ekspertëve. Vetëm përgjigja e saj do të qartësojë përfundimisht pse Lotfi nuk frenoi, nga mosfunksionimi i frenave apo ndonjë shkak tjetër.

2 shtetasit nuk kishin as një muaj që ishin në Shqipëri për t’u punësuar. Sipas burimeve pranë policisë, dokumentacioni i tyre i qëndrimit ishte i rregullt, përfshirë edhe punësimin dhe lejen e qëndrimit. Drejtuesi Mohamed Lotfi ishte i pajisur me patentë nga vendi i origjinës për drejtimin e llojit të mjetit që bëri aksidentit.

Një ditë më parë, në një reagim, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, deklaronte se asnjëri prej tyre nuk ishin te pajisur me leje drejtimi shqiptare, dëshmi aftësie profesionale për profilin automakinist dhe nuk kishin paraqitur dokument për njohjen e aftësive për autobetoniere.

Aksidenti i së mërkurës mund të kishte rezultuar edhe më fatal, nëse gjatë rënies në autostradën Tiranë-Elbasan do të zinte poshtë makina të tjera në lëvizje. Për fat të mirë, në momentin e rënies, edhe pse në një orar me trafik të rënduar, nuk pati makina.