Kampet e emigrantëve në Lezhë, në Shëngjin monitorohet nga 40 kamera! 15 nga 27 vendet e BE i kërkuan Italisë të ndajë detajet e marrëveshjes

Kampet e emigrantëve në Lezhë, në Shëngjin monitorohet nga 40 kamera! 15 nga 27 vendet e BE i kërkuan Italisë të ndajë detajet e marrëveshjes

Kampi i emigrantëve në Shëngjin

Lezhë - Rrjeti britanik Sky News ka parë nga afër punimet në kampet e emigrantëve në Lezhë, atë në Shëngjin që tashmë ka përfunduar dhe në Gjadër ku punimet vijojnë.

Kampi në portin e Shëngjinit përmban katër ndërtesa të mëdha dykatëshe me një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë. Janë 40 kamera që do të monitorojnë të gjithë kampin e cila është e rrethuar me një gardh metalik 5 metra të lartë.

“Në kampe do të priten vetëm burra. Ata që shpëtohen nga anijet e drejtuara nga organizata bamirëse,  apo grupe emigrantësh, të cilët hyjnë direkt në tokën italiane, ose gjenden në ujërat italiane, do të përjashtohen nga skema” thotë drejtori i policisë italiane që do të menaxhojë  Evandro Clementucci shkruan Sky News.

Plani zbatohet për emigrantët nga vendet e konsideruara "të sigurta" nga qeveria italiane si Tunizia, Egjipti, Algjeria, Nigeria, Maroku dhe Bangladeshi. Do të thotë, në rast të një kërkese azili të refuzuar, ata mund të riatdhesohen për shkak të marrëveshjeve të Italisë me ato vende.

“Shëngjini është qendra fillestare e pritjes së emigrantëve. Stafi përbëhet nga 70 persona, duke përfshirë oficerë policie italiane dhe kontraktorë privatë që menaxhojnë të dyja qendrat. Emigrantët që mbërrijnë këtu  u bëhet një kontroll shëndetësor, u jepet ushqim, ujë dhe rroba dhe kanë akses në këshilla të pavarura ligjore”, detajohet në reportazh.

"Dua të jem i qartë: Unë nuk i shoh ata si kriminelë. Ne do t'i trajtojmë ata si mysafirët tanë, ne duam që ata të jenë të sigurt", na tha zoti Clementucci.

Në kamp janë dhe zona pritjeje, dushe dhe parking për autobusët që do të nisen për në Gjadër.

Gjatë udhëtimit 25-minutësh atje, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, hodhi poshtë çdo krahasim me skemën e dështuar të azilit të Mbretërisë së Bashkuar në Ruandë.

"Të dy planet nuk janë të krahasueshëm dhe lidhja e pretenduar mes tyre është e papërshtatshme. Brenda qendrave tona në Shqipëri ka juridiksion italian: pra ligjet italiane dhe rregullat italiane. Ne kemi studiuar gjithashtu legjislacionin shqiptar për migracionin dhe e dimë se përputhet me legjislacionin evropian”, tha zoti Bucci.

Ndërtimi në qendrën e Gjadrit duket se është prapa planit - materialet e ndërtimit, dritaret dhe dyert janë kudo - por zyrtarët janë të bindur se do të jetë gati "brenda disa javësh". Hapja tashmë është shtyrë tre herë. Ndër arsyet e vonesave ishin kushtet e të nxehtit.

Gjadri është i ndarë në zona kryesore:

-Në zonën parë trajtohen kërkesat për azil të shpejtë, një proces i kufizuar në një maksimum prej 28 ditësh. Këtu emigrantët flenë katër vetë në një dhomë gjumi 15 metra katrorë megjithëse energjia elektrike ende nuk është lidhur dhe nuk ka ende mobilje.

-Dushet përfshijnë tabela informuese në italisht, anglisht dhe frëngjisht.

-Në një pjesë tjetër ndodhet qendra e ndalimit të riatdhesimit, për personat, rastet e të cilëve janë refuzuar dhe janë në pritje të riatdhesimit.

Pjesa e tretë  është një miniburg i lyer me ngjyrë blu - me një derë të blinduar të stilit të burgut dhe dritare me hekura - për këdo që kapet duke kryer krime brenda qendrës.

“Kapaciteti për qendrat e Shëngjinit dhe Gjaderit supozohet të jetë 3000 persona në muaj, por ne e kuptojmë që fillimisht do të ketë më shumë gjasa rreth 1000 persona. Azilkërkuesit e suksesshëm do të dërgohen në Itali me traget. Sipas nënsekretarit shtetëror të presidencës italiane dhe delegatit të inteligjencës italiane, Alfredo Mantovano, ky është një "model inovativ për menaxhimin e flukseve të paligjshme të migracionit dhe po merr konsensus të gjerë në Evropë", shkruan Sky News.

Hulumtimi sugjeron se 15 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Italisë të ndajë detajet e skemës së tyre. Zyrtarët italianë kanë refuzuar të thonë se sa do të kushtojë projekti, por ne e kuptojmë se marrëveshja pesëvjeçare do të kushtojë pothuajse 1 miliard euro, shkruan Sky.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka konfirmuar Sky News se po monitorohet nga afër marrëveshja.

“Është e mundur që shtetet anëtare të bashkëpunojnë me vendet jashtë BE-së në menaxhimin e migracionit”, na thanë zyrtarët evropianë.

"Por kjo duhet të pasqyrojë të gjitha garancitë dhe dispozitat e zbatueshme. Është e rëndësishme që kjo të bëhet në respekt të plotë të së drejtës së BE-së dhe ndërkombëtare", vijon ai.

A.Q/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dritan: 03/08/2024 18:51

    Sa i plotesuar ndihem tani qe mesova sa kamera sigurie ka kjo qender. Se di si na ka zene gjumi kaq kohe

    Përgjigju
    • Po mër po: 03/08/2024 21:00

      Kamera ka, po s'ka kush me ju rënë pas imigrantëve po u arratisën

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion