/ATSH/.- Lëvizja Vetëvendosje ka ngushëlluar familjarët e personit që humbi jetën nga të ftohtit derisa kapërcente kufirin e Hungarisë me Serbinë, duke kërkuar organizim qytetarë për t'i qëndruar pranë asaj familje, por edhe secilës familje që po përballet sot me presionin e mbijetesës.

Sipas KosovaPress, Vetëvendosje i kërkon kryeministrit Isa Mustafa dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçi që të udhëtojnë menjëherë për në Hungari, të vizitojnë kampet me refugjatë nga Kosova, dhe të interesohen për mirëqenien e tyre pranë institucioneve të shtetit hungarez dhe atyre të Bashkimit Evropian, si dhe vendkalimet kufitare legale dhe ilegale mes Hungarisë dhe Serbisë.

"Humbja e jetës së një qytetari në kushte e në rrethana të tilla është çmimi më i shtrenjtë që populli i Kosovës paguan për orientimin e gabueshëm të parave tek asfalti i shtrenjtë i Bechtelit, apo edhe për reklamat e shtrenjta të Saatchi&Saatchi në të cilat vihemi në lojë vetë ne," thuhet në një komunikatë për media të Vetëvendosjes.

Lajmin e quan tronditës, se përgjegjësinë direkte për këtë ngjarje sipas tyre, e mban Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se Qeveria i ka vënë vetes vetëm detyrën e rojës kufitare, që përpiqet të ndalojë njerëzit të dalin prej këtij kampi të varfërisë, që është bërë Kosova.