Ekselent në shkollë, por edhe në pasionin që ndjek. Ky është rasti i Dardan Spahiut, 16-vjeçarit gjimnazist në ‘Petro Nini Luarasi’ dhe fitues i medaljes së artë në kampionatin evropian të Jiu-Jitsu për U-18 në Lisbonë. Pavarësisht këtyre arritjeve ai është tejet modest, teksa fillimisht thotë se në palestrën ku stërvitet ka shumë shokë më të fortë se ai, ndërsa për shkak të konkurrencës së lartë në Evropian nuk e priste medaljen e artë.
“E frikshme, shumë shumë e frikshme se ishin 6 mijë konkurrent nga çdo cep i botës. Shikojë shumë sportistë me veshë të fryrë, që vjen si pasojë e stërvitjes së shumtë, vajza që kishin më shumë muskuj se unë, por dalë-ngadalë më iku frika deri në momentin që fitova medaljen e artë,”-u shpreh 16-vjeçari.
Dardani tregon se ishte krenari e madhe të ngrinte flamurin shqiptar në Evropian, ndërsa për këtë ka vite që stërvitet nga babai i tij, por vetëm pak kohë më parë e ka marrë seriozisht si sport. 16-vjeçari thotë se Jiu-Jitsun e nisi për vetëmbrojtje, ndërsa tani i merr më shumë se 7 orë në javë, që gjithsesi nuk e pengon në shkollë.
“E kam mesataren 10 edhe duke vijuar Ju-Jistu,”-tha sportisti.
Rikthimi në Tiranë dhe më konkretisht në gjimnaz ishte befasues për Dardanin.
“Shumë urime mora nga zyshat. Një zyshe matematike mu drejtua dhe mendova se po kërkonte që të zgjidhja ndonjë ushtrim, por nisi të më bënte urime. Më pas e gjithë klasa filloi të duartrokiste. U vendosa pak në pozitë, por ishte ndjesi e mirë,”-deklaroi Dardani.
Si nxënës ekselent Dardan Spahia nuk e sheh Jiu-Jitsun si profesion pavarësisht se qëllimi është të fitojë medalje të artë në kampionatet më të rëndësishme në botë.
“Dua që të vazhdoj të garoj dhe të fitoj medalje më të larta. Të shkoj në pan-amerikan, në kampionatin brazilian. Të fitoj edhe në botëror e mos të ndalem këtu, por nuk besoj se do kam profesion. Pasionin e kam edhe të shkencat dhe dua ta ndjek bashkë me Ju-Jistu,”-tha ai.
Dëshira e Dardanit është që pasi të mbrojë shkollën të bëhet inxhinier.
Komente












