Familja dhe jo institucioni, do të jetë zgjidhja e parë për çdo fëmijë që mbetet pa kujdes prindëror. Ky është thelbi i ligjit të ri “për kujdesin alternativ në familje”, i publikuar tashmë në fletoren zyrtare.

Ligji parashikon dy forma të kujdesit alternativ: familjet vullnetare dhe familjet kujdestare profesioniste. Familjet vullnetare janë kryesisht të afërm të fëmijës, hallë, teze, gjyshër, kushërinj apo vëllezër e motra më të rritur, të cilët marrin përsipër kujdesin e tij.

Risia e ligjit të ri është kujdestaria profesionale, ku familje të trajnuara dhe të certifikuara do të mund të marrin në kujdestari fëmijë të kategorive të ndryshme, nga fëmijët e braktisur apo pa prindër, deri te fëmijët me aftësi të kufizuara.

Të gjithë familjet që kanë interes për t’u bërë pjesë e skemës, mund të aplikojnë pranë zyrave të bashkive.

“Çdo familje që ka interes për të ofruar këtë shërbim të aplikojë menjëherë pranë zyrave të bashkisë për të ofruar këtë mundësi dhe këtë vullnetarizëm, por edhe këtë mision kaq të bukur dhe të rëndësishëm për mbroj e fëmijëve. Pra t'i afrojmë çdo fëmijë një familje”, thotë Ermelinda Spaho, përgjegjëse e sektorit te shërbimeve për fëmijë.

Megjithatë sipas Përgjegjëses së sektorit të shërbimeve për fëmijë, Ermelinda Spaho, në vijim pritet që të kenë mundësi të aplikojnë edhe individë të vetëm, nëse plotësojnë kriteret ligjore.

“Më e rëndësishmja është që kërkuesi duhet të jetë madhor, duhet të ketë dëshmi të pastër penaliteti, mos ketë të bëjë me probleme të lidhura. Të jetë një familje të ofrojë një mjedis të sigurt, të mirë për ofrimin edhe plotësimin e nevojave të fëmijës, të kenë aftësi prindërimi, të trajnohen dhe të kenë detyrimet e tyre si familje për të ofruar, por edhe për të pranuar të gjithë monitorimin dhe raportimet që janë si pjesë e gjithë mekanizmit për të ofruar këtë shërbim”, thekson ajo.

Familjet kujdestare profesioniste përzgjidhen nga komisione shumëdisiplinore dhe mbështeten financiarisht nga shteti, përmes pagesës mujore, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe njohjes së vjetërsisë në punë. Ndërkohë, familjet vullnetare përfitojnë pagesa mujore për shpenzimet bazë dhe mbështetje shtesë për arsimimin e fëmijëve.

“Që në momentin që një fëmijë vendoset në familje kujdestare, një person kyç dhe i rëndësishëm për mbrojtjen të drejtave të fëmijëve, i cili është në çdo njësi bashkiake, ka për detyrë të monitorojë fëmijën dhe familjen ku është vendosur fëmija çdo dy javë për tre muaj e parë dhe më pas ky monitorim do jetë çdo muaj. Përveç se punonjësi për mbrojtjen e fëmijëve, njësisë së vlerësimit të nevojave në bashki, detyra të tjera monitoruese dhe përgjegjësi kanë dhe strukturat e tjera në nivel qendror, por edhe rajonal”, nënvizon Spaho.

Ekspertët theksojnë se vendosja e fëmijëve në institucione rezidenciale mbetet zgjidhja e fundit, pasi largimi nga mjedisi familjar ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe social të tyre.

“Vendosja në një institucion, detyrimisht fëmija e ka të vështirë përshtatshmërinë. Plus edhe shërbimet që ofrohen për institucionet tona janë nga kujdestarë, nga ë punonjës të cilët punojnë me orare. Ata nuk kanë figura të qëndrueshme me të cilët arrijnë të krijojnë atashimin e tyre”, shton ajo.

Qëllimi kryesor i këtij ligji  është ofrimi i një përkujdesi të përkohshëm deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, siç është bashkimi me familjen biologjike ose kalimi i përhershëm në një familje tjetër.