TIRANE - Partizani është rikthyer në Kategorinë Superiore pas katër viteve mungesë. Pas ndeshjeve të javës së 27-të në Kategorinë e Parë, të kuqtë shoqërojnë përfundimisht Lushnjën, e cila është kampione dhe dominuese absolute e Kategorisë së Parë për këtë sezon. Me ngjitjen e Partizanit rikthehet në Kategorinë Superiore një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar.

Fitorja me ekipin e Naftëtarit siguroi edhe ngjitjen përfundimtare në elitën e futbollit shqiptar. Partizani u mungonte të gjithëve, madje edhe kundërshtarëve më të fortë, të cilët nuk i shijonin triumfet plotësisht, pasi në Superligë nuk ishte Partizani. Legjenda e futbollit shqiptar, që ka më shumë tifozë në të gjithë vendin pritet që të bëjë një merkato të fuqishme këtë verë për të përballuar Superligën me sukses të plotë, pasi do të pretendojë për titullin kampion.

Partizani u rrëzua në Kategorinë e Parë në përfundim të sezonit 2008-2009. Partizani ra për herë të dytë nga kategoria, për t’u kthyer vetëm tani, pasi ka ndryshuar edhe pronar, tani drejtohet nga Lulzim Sallaku. “Jam shumë i lumtur për këtë arritje dhe dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuan për arritjen e këtij suksesi. Partizani nuk është më i pa sigurt, por është një ekip që u rikthye në Superiore dhe do të bëjë një përfaqësim dinjitoz.

Rikthimin e Partizanit po feston e gjithë Shqipëria, pasi ky ekip është i gjithë shqiptarëve ”deklaroi pas triumfit Sallaku. Ndërsa ngjitja e Partizanit la në hije edhe ngjitjen e ekipit të Lushnjes në Superligë. Por nga Kategoria e Parë do të zbresin Besëlidhja, Iliria, Gramshi dhe Naftëtari. Lufta ishte e ashpër deri në fund, kur Dinamo me shumë forcë dhe dhimbje arriti që të mbijetonte duke shmangur zbritjen në Kategorinë e Dytë.

Dinamo e mbyll edicionin shumë pranë rënies duke treguar edhe njëherë që po përshkruan itinerarin e ekipit të Partizanit vetëm para dy vitesh. Mungesa e bluve të kryeqytetit do të jetë mjaft e ndjeshme në vitet e ardhshme ashtu sikur ishte edhe këtë edicion, pasi me krizën që përfshiu ekipet e kryeqytetit, lufta për titullin kampion u zhvendos nga Tirana në rrethe në Vlorë dhe në Korcë, por edhe në Kukës kohët e fundit.

FLAMURTARI, 3 MILION EURO S'MJAFTOJNË PËR TROFEUN

Flamurtari ishte një nga dështimet më të madha të këtij edicioni futbollistik në Shqipëri. Filozofia e presidentit të ekipit të Flamurtarit Gjika për të ndërtuar një ekip të fortë dhe konkurruar denjësisht nuk arriti të rezistonte përballë presioneve dhe pazareve të ndryshe sipas vlonjatëve.

Flamurtari në tre edicionet e fundit ka shpenzuar më shumë se 3 milionë euro duke afruar futbollistë cilësore si Muzaka, Memelli, por edhe shumë e shumë të tjerë të huaj e shqiptar, por në fund të tre edicioneve gjithcka u shumëzua me zero, pasi nuk arriti të ngrinte asnjë trofe duke rezultuar një dështim total.

Vetëm këtë edicion Gjika vendosi të ndryshonte tre trajnerë dhe të dorëhiqej një herë nga ekipi, por më pas u rikthye përsëri. Gjika ka akuzuar rëndë aleancën FSHF-Skënderbe për të fundosur Flamurtarin.

Një tjetër dështim i këtij edicioni ishte edhe ekipi i Vllaznisë së Shkodër që pavarësisht ndërrimit të trajnerëve dhe presidencës së re nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë, poshtë Flamurtarit të Vlorës.

Por në si Vlora ashtu edhe Shkodra nuk dorëzohen dhe kanë filluar planin për të ndërtuar një tjetër ekip me elementë të rinj për edicionin tjetër. Gjika e do me cdo kusht trofeun në Vlorë dhe për këtë po bën cdo gjë duke i plotësuar cdo dëshirë trajnerit të ri Ernest Gjoka.

“GRUSHTI” KOMUNIST I NEVIL DEDES NGRITI NË KËMBË TË GJITHË KAVAJËN

Ngjarja që do të mbahet mend gjatë nga ky edicion futbollistik është ajo e Kavajës, në ndeshjen mes vendasve të Besës dhe Tiranës, e cila riktheu skena të papranueshme. Pas një provokimi me grusht të Nevil Dedes, reagoi kreu i Bashkisë, Elvis Roshi duke i tërhequr vëmendjen.

Por Dede e denoncoi për dhunë, policia e arrestoi, ndërsa Gjykata e shpalli të pafajshëm. Edhe FSHF dënoi Deden për gjestin anti sportiv me grusht kundrejt tifozerisë kavajase, duke iu kujtuar komunizmin.

Ngjarja mori përmsa të mëdha duke ngritur një qytet në këmbë në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë. Ndërsa në Gramsh kreu i Bashkisë u fut me makinë në fushë duke shkallmuar portat, pasi kishte pakënaqësi me gjykimin, sipas tij, Dritan Bicit ishte i njëanshëm.

FIFA ALARM PËR TRUKIMET, NË SHQIPËRI JANË TË 'PASTËR"

Edhe këtë edicion kampionati shqiptar i futbollit është kthyer në njollë të zezë në botë sipas shumë raporteve që analizojnë trukimet e ndeshjeve. Shqipëria zë vendin e parë në botë për trukimet, ndërsa FSHF angazhoi komisionin e etikës për hetime.

Ky komision dënoi vetëm ekipin e Bylisit dhe Kastriotit me nga 1.5 milionë lekë për tolerime. Në javët e fundit në prokurorinë e Tiranës janë marrë në pyetje shumë presidentë klubesh, futbollistë dhe trajner për të hetuar trukimet, mes të cilëve edhe presidenti i Besës Bizhdili.

FIFA ka dhënë disa herë alarmin për këtë fenomen, por nga FSHF kënaqen me një deklaratë që ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Kupa e Shqipërisë ishte në qendër të trukimeve duke nxjerrë Flamurtarin jashtë loje.

LARGOHEN 24 TRAJNER, MEMELLI "TOPI I ARTË”

Trajnerët e shkarkuar në Superligë 2012-2013 janë për t'u shënuar në rekordin Gines. Skënderbeu ka ruajtur Josën, Kukësi Cungun, Teuta largoi Likën, Begejën dhe e përfundoi me Maganin. Flamurtari largoi Mucën, Hubion dhe e mbylli me Gjokën.

Tirana ndërroi Rubion, Lekbellon, Tafajn dhe përfundoi me Deden, Vllaznia ndërroi dy trajner Duron dhe Bushatin. Laci, Stavri Nicën dhe Ramadan Shehun. Kastrioti, Shaban Dallakun dhe Mërgjyshin. Besa largoi Dajën për Daiun.

Bylisi ka mbajtur Shensojin për këtë edicion. Shkumbini largoi Maganin për Milen. Luftëtari largoi Deden dhe Martinin, drejtohet nga Bellai. Apolonia largoi Gjokën për Demirajn. Tomori largoi Daiun për Muxhajin.

Ndërsa golashënuesi më i mirë është Memelli me 20 gola. Ndërsa këtë edicion u shënuan 866 gola në 364 ndeshje, më shumë ka shënuar Kukësi më pak ka pësuar Skënderbeu.

ZHEGA, PJETRUSHI, THACI HUMBJET E EDICIONIT

Një aksident i rëndë ka ndodhur në datë 10 nëntor në aksin rrugor Gjirokastër- Derviçan. Nga përplasja e 2 automjeteve kanë humbur jetën 2 persona, ndërsa janë plagosur 5 të tjerë. Si pasojë e përplasjes humbi jetën pas rreth gjysmë ore në spital Rigers Pjetrushi 32 vjeç nga Lezha, arbitër i kolegjiumit te Lezhës.

Ndërsa edhe qyteti verilindor u prek nga një humbje e madhe e një 17 vjeçari, i cili humbi jetën në fushën e lojës si pasojë e një ataku kardiak që pësoi gjatë një ndeshje miqësore me Prizrenin.

I riu Ilirjan Thaci nuk arriti të mbijetonte pas ndërhyrjes së mjekëve. Largimi nga jeta i Pjetrushit Thacit dhe Mehdin Zhegës ishin dy nga ngjarjet më të rënda që shënjuan futbollit shqiptar këtë edicion futbollistik që lamë pas.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)