Këto janë pamjet nga operacioni antidrogë në Rrilë të Lezhës tregojnë shtëpinë e barit brenda një qendre trekatëshe biznesi, të përdorur si magazinë.

Policia ka vënë në pranga babë e bir, me iniciale A. Gj., 57 vjeç dhe A. GJ., 22 vjeç të kapur në flagrancë.

Është arrestuar edhe një punonjës i OSHEE-së, me iniciale Gj.D., 59 vjeç. Gjithashtu janë vendosur nën hetim 4 të tjerë për shpërdorim detyre, me iniciale M. P., A. Gj., E. R dhe O. T.

Në katin e dytë të ndërtesës ishin përshtatur 4 ambiente për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Nga verifikimet rezultoi se në këtë objekt kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Policia sekuestroi 8.8 kilogramë kanabis të tharë, 1064 bimë, 960 fidanë dhe 850 fara kanabisi, 106 llamba elektrike dhe 180 gramë kokainë. Gjithashtu u sekuestruan 1 automatik me dy krehra me fishekë, 1 pistoletë sportive me fishekë, 1 automjet dhe 4 celularë. 

Nga hetimet dyshohet se kjo veprimtari kriminale kryhej prej disa muajsh. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Materialet hetimore do t’i referohen prokurorisë së Lezhës.


Lajmi kryesor:

Laborator droge brenda godinës së biznesit në Lezhë! Arrestohen 3 persona, kapet 8.8 kg kanabis dhe 1064 bimë narkotike, sekuestrohen armë e municione