Policia e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në këtë qark për mbjelljen e kanabisit.

Gjatë një aksioni të fundit blutë zbuluan një serë në Malësinë e Madhe, në fshatin Bratosh, ku gjetën të mbjellë në kubikë fara kanabis sativa.

Një pjesë e tyre u asgjësua ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua si provë materiale.

Policia vijon hetimet për indentifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional “Faza e parë”, për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në fshatin Bratosh. 

Në territorin e këtij fshati, u gjetën platforma polistiroli në të cilat ishin mbjellë fara të dyshuara narkotikë kanabis.

Platformat me fara kanabisi u shkatërruan gjatë operacionit ndërsa një pjese u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.      

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

 Operacioni antikanabis i koduar “Faza e parë” vijon.