Kanadaja dhe Malta njoftuan të mërkurën se planifikojnë të njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, duke iu bashkuar Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Mark Carney tha se ky veprim varet nga reformat demokratike, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm pa Hamasin.

"Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm", theksoi Mark Carney për gazetarët.

Malta ka mbështetur prej kohësh sovranitetin palestinez dhe vetëvendosjen e qytetarëve të saj. Christopher Cutajar, sekretari i përhershëm në Ministrinë e Jashtme të Maltës, e bëri njoftimin më parë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi një zgjidhje me dy shtete.

“Si aktorë përgjegjës, ne kemi detyrën të punojmë për të përkthyer konceptin e një zgjidhjeje me dy shtete nga teoria në praktikë”, tha Cutajar.

Vendimet e këtyre dy vendeve vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të njihte shtetin palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim dhe kushte të tjera dhe një javë pasi Franca zbuloi një plan të ngjashëm.

Kjo gjë përfshin njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Palestinës brenda kufijve të saj të luftës në Lindjen e Mesme para vitit 1967. Kjo përfshin Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.

147 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe dhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, tashmë e kanë njohur shtetin e Palestinës.

Ministria e Jashtme e Izraelit e cilësoi "një shpërblim për Hamasin” njoftimin e Kanadasë.

"Plani i Kanadasë dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një kuadër për lirimin e pengjeve”, theksohet ndër të tjera në postimin e publikuar e X.

Konservatorët e Kanadasë gjithashtu e kundërshtuan njoftimin e Carney-t.

"Njohja e një shteti palestinez pas mizorive terroriste të 7 tetorit i dërgon botës mesazhin e gabuar", tha partia opozitare në një deklaratë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e intensifikoi luftën e tij tregtare me Kanadanë një ditë përpara afatit të tij të 1 gushtit për një marrëveshje doganore, duke thënë se do të ishte "shumë e vështirë" të arrihej një marrëveshje me Kanadanë, pasi kryeministri i saj tha se planifikon ta njohë Palestinën si shtet.

Trump pritet të vendosë një tarifë doganore prej 35% për të gjitha mallrat kanadeze që nuk mbulohen nga marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada nëse të dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje brenda afatit të caktuar.