Muaji Tetor i cili njihet në të gjithë botën si muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit, është edhe një muaj që si një “këmbanë alarmi” flet për histori që shpesh herë janë fatale, por edhe për histori të fituara. Mjekët flasin për depistime të hershme, kontrolle periodike si dhe për trajtime, duke sjellë në vëmendje shumë raste grash që ja kanë dalë.
Mjekja onkologe Manjola Luzi, e ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, rrëfeu për rastin e një vajze 22-vjeçare, e cila është e prekur nga kanceri i gjirit. Ajo rrëfen sesi e reja e ka zbukuar e më pas trajtuar.
“Pacientja më e vogël që kam trajtuar me kancer gjiri ishte 22 vjeç. Ajo në fakt vinte nga një histori familjare, pasi kishte pasur hallën me kancer në gji. Kjo e kish shtyrë të renë të bënte kontroll, pasi kishte ndjerë edhe një diskonfort në gjirin e saj. Radiologia arriti të kuptojë një zonë të vështirë dhe u konfirmua dyshimi i 22- vjeçares, më pas ju bë edhe biopsia”, rrëfeu mjekja.
Onkologia Luzi u ndal tek rastet dhe grupmoshat më të prekura, ajo tha se tashmë po shihen gjithmonë e më shumë të preken moshat e reja.
“Kanceri i gjirit është në një rritje progresive, si në botë ashtu edhe në vendin tonë. Në Amerikë përshembull 1 në 8 femra preken nga kanceri i gjirit. Në Shqipëri moshat ku priten janë 50-70 vjeç, por po shohim se gjithnjë e më tepër po preken gratë dhe vajzat edhe nën moshën 30 dhe 40 vjeç”, u shpreh onkologia.
Sipas mjekes ka një sërë faktorësh që nga stili i jetesës e deri tek faktori gjenetik.
Onkologia Manjola Luzi dha dhe disa këshilla sesi vajzat dhe gratë mund ta kontrollojnë gjirin e tyre.
Këshilla vetëparandaluese
Vetë ekzaminimi është një element i rëndësishëm për të parandaluar. Vetë ekzaminimi duhet të fillojë që në moshën 20 vjeç. Vajzat çdo muaj duhet të vetë ekzaminohen nga dita e 5-të deri në ditën e 10-të të ciklit. Gjiri është më i butë, nuk është i dhimbshëm dhe vetë ekzaminohet shumë mirë. Nuk bëhet vetëm me gishta, por me gishta të bashkuar dhe me mollëzat e tyre, me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë, kontrollohen kuadrantet në formë rrethore, fillohet nga kuadrantet e jashtme duke e palpuar dhe kontrollohet edhe pjesa e sqetullës. Një femër që mund të vejë re ndryshimet që ndodhen në gjirin e saj duhet me patjetër të shkojë tek specialisti.
Por a është çdo dhimbje gjoksi një alarm për tumor? Mjekja onkologe Manjola Luzi shpjegon se tumoret nuk dhembin zakonisht.
“Tumoret nuk dhembin zakonisht, dhimbja shkaktohet nga disbalancat hormonale ose nga prezenca e kisteve, apo nga probleme reumatizmale”, përfundoi onkologia Luzi.
Komente












