-Tetori - Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit-
TIRANE, 1 Tetor/ATSH/- Në të gjithë botën, Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.
Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim.
Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës .
Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit.
Si mund të zbulohet kanceri i gjirit
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t'u trajtuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues, ndonjëhere mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer.
Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.








