Duket se gratë shqiptare nuk janë ende të ndërgjegjësuara sa ç’duhet lidhur me kontrollet e vazhdueshme që duhet të kryejnë për të diagnostikuar në kohë kancerin e qafës së mitrës, një nga patologjitë më të rënda që e shkurton jetën e grave në kulmin e moshës së tyre (45-50 vjeç) dhe e dyta sëmundje që shkakton më shumë viktima pas kancerit të gjirit. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, obstetër gjinekologia Mirela Rista shprehu shqetësimin se pacientet vijnë shumë vonë për tu diagnostikuar.
Tek ne mund të themi që kemi shifra më të larta se në botë sepse konstatojmë që pacientet vijnë vonë për tu diagnostikuar dhe të kapin gjendjen parakanceroze. Ato vijnë me ankesa në kohën që ka avancuar sëmundja dhe që janë në stadin e kancerit të qafës së mitrës. Ato humbasin me vite, shkëputen nga mjeku gjinekolog, nuk paraqiten për të bërë check up-in e pap testit dhe arrijnë në ato momente kur sëmundja ka avancuar. Kanceri i Qafës së Mitrës është një nga patologjitë më të rënda që e shkurton shumë jetën e grave dhe largon nga jeta zonja e nëna në moshën më aktive të tyre sepse e ka pikun në moshat 45-50 vjeç.
Mirela Rista, gjinekologe
Kanceri i qafës së mitrës është një deformin qelizor që mund të formohet në qafën e mitrës të çdo gruaje dhe shkaktari kryesor është virusi human papiloma i njohur ndryshe si (HPV).Ky virus përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe transmetimi jo seksual është i rrallë. Mjekja Rista shpjegoi se ky lloj kanceri kalon në disa faza parakanceroze duke theksuar se prania e virusit HPV tek një paciente nuk nënkupton domosdoshmërisht se ajo është me kancer, pasi infeksioni mund të nxirret nga njeriu në mënyrë natyrale brenda 2 vitesh.
E ftuar në studion e “Rreze Dielli” ishte dhe Mirela Sinaj, një paciente që prej disa vitesh po kurohet pikërisht nga kanceri i qafës së mitrës. Ajo tregoi se si kishte zbuluar sëmundjen ndërsa u bëri thirrje grave të mos kenë turp pasi një kontroll mund tu shpëtojë jetën.
Bëra një pap test, e ndjeja veten që nuk isha mirë. Ndihesha e plogësht, gjatë ditës isha e dobët, e ndjeja se diçka nuk shkonte. Tani unë jam shumë mirë, pas operacionit dhe falë doktoreshës e cila më tha që duhet të operohesha sa më shpejt. Bëra disa analiza në Itali dhe më kanë dalë shumë mirë. Do ti thoja të gjitha grave që të mos kenë turp se mund të shpëtojë jeta e çdo njeriu, ndaj bëni kontrolle sa më shpesh.
Mirela Sinaj, paciente
Infeksioni nga virusi HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja të cilat janë seksualisht aktive dhe rreziku rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksual. Nga momenti i shfaqes së qelizave jo normale në qafën e mitrës, deri në shfaqen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen afro nga 10 deri në 20 vjet. Kjo është ajo kohë fatlume, që i jep mundësinë një gruaje të kapi në kohë deformimin e qelizave, nëse kontrollohet rregullisht tek mjekët specialist.