Kanceri tek gratë, Mjekët: Çdo rast
mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit

Kanceri tek gratë, Mjekët: Çdo rast<br />mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit
Kontrolle periodike për parandalimin e sëmundjeve tumorale është mesazhi i përcjellë këtë javë nga specialistët e shëndetit publik, me fokus të veçantë në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Në Shqipëri, kanceri i qafës së mitrës zë vendin e dytë ndër sëmundjet tumorale që ndeshen më shpesh tek gratë e moshës 18-45 vjeç. Kanceri i qafës së mitrës renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë.  Për mjekët e Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, grupmosha më e prekur është ajo 40-49 vjeç, megjithatë vihet re një ulje e moshës së të prekurave. Por, për bluzat e bardha shqetësues mbetet fakti që diagnostikimi i qafës së mitrës bëhet në stade të avancuara në Shqipëri. Të dhënat e fundit tregojnë se çdo muaj 10 gra diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës dhe çdo javë një grua vdes nga kjo sëmundje, pavarësisht faktit se pothuajse çdo rast mund të parandalohet nëpërmjet një program kontrolli dhe parandalimi, vaksinimi dhe trajtimi për infeskionet nga virusi HPV.

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së gruas. Ai renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë.
Ky kancer ndodh kur qelizat e qafës së mitrës nisin të rriten në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar. Shtame të ndryshme të Human Papillomavirus (HPV), një infeksion seksualisht i transmetueshëm është ndër shkaktarët kryesorë të këtij kanceri.
Pas ekspozimit ndaj HPV, zakonisht sistemi imunitar i gruas arrin të parandalojë dëmet që mund të shkaktojë ky virus. Por, në një grup të caktuar të grave virusi arrin të mbijetojë ndër vite duke kontribuar në procesin që u shkakton disa qelizave të sipërfaqes së qafës së mitrës të kthehen në qeliza kanceroze.
Duke qenë se simptomat e hershme janë të rralla teste të rregullta PAP janë thelbësore për zbulimin në kohë të anomalisë dhe uljen e riskut për zhvillimin e këtij kanceri.
Ndaj është i rëndësishëm ndërgjegjësimi mbi sëmundjen dhe mundësitë për ta parandaluar, njohuritë mbi faktorët e riskut dhe kujdesi për të komunikuar me mjekun pa neglizhuar.

Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet, ndaj specialistët vënë theksin tek depistimi dhe mbrojtja. Vaksinimi me vaksinën kundër virusit HPV dhe bërja rregullisht e PapTestit parandalojnë gati 80% të rasteve me kancer të qafës së mitrës, nënvizoi Mërkuri. Vaksina është shumë efektive kur ajo aplikohet që në adoleshencë, duke reduktuar nivelet e këtij lloj tumori. Vaksina gjendet tashmë në rrjetin farmaceutik shqiptar. Mosha e rekomanduar për t’u aplikuar është midis 10-26 vjeç, por të gjitha femrat mbi këtë moshë mund të vaksinohen për t’u mbrojtur. Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkohë rekomandon futjen e kësaj vaksine në kalendarin bazë të vaksinimit.
Rekomandimet për kryerjen e Pap Testit janë të ndryshme, por disa rekomandime janë për kryerjen e tij çdo 1-3 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë PapTestin rregullisht.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore