“Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kanë dorëzuar rekomandime për kandidatët e shoqërisë civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ky proces është vendimtar për të çuar përpara me formimin e organeve qeverisëse të drejtësisë”, shkruan Calavera. Përfaqësuesit e OMN-së u shfaqën dje teksa i dorëzuan raportin Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjoncaj.
Nga vlerësimi shqiptar, kandidatja me më shumë pikë është renditur Entela Baci (Hoxhaj) me 81 pikë. I dyti është Andi Muratej me 79.5 pikë, ndjekur nga Mimoza Qinami me 79 pikë. Më pak pikë ka mbledhur nga vlerësimi i komisionit të shoqërisë civile ish-prokurori Alfred Balla, ku në renditje ai është i katërti me 69 pikë.
Vijimi i procesit
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i dërgon listën me kandidatët Komisionit të Ligjeve jo më vonë se 10 ditë. Komisioni i Ligjeve ngre brenda tre ditëve një nënkomision, për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Ky nënkomision, brenda tre ditëve i dërgon kandidatin e përzgjedhur Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton kandidatin me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve. Lista e re hidhet në votim nga Kuvendi brenda 7 ditëve.
Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e dytë, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve. Kuvendi hedh në votim listën e tretë brenda 7 ditëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Ndërkaq, për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KLP, do të ketë një proces tjetër, i cili do të administrohet nga kryeprokurori i përkohshëm.
Qëndrimi i opozitës
Opozita shqiptare ka paralajmëruar se nuk do të bashkëpunojë me mazhorancën për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Vendimet tona sigurisht do të lidhen jo thjesht me qëllimin që ka opozita për të pasur një reformë reale në drejtësi, të nevojshme, por sigurisht dhe me qëndrimet e maxhorancës. Ne nuk mund të bëjmë sikur, që të shkojmë të miratojmë ligje, pastaj të shohim se si këto ligje dhe vetë kushtetuta shkelen me këmbë nga maxhoranca dhe kryeministri”, tha dje deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka.
Rekomandimet
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë rekomandimet për 4 kandidatët nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të prokurorisë.
Calavera
“Vëzhguesit e ONM kanë dorëzuar rekomandime për kandidatët e shoqërisë civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ky proces është vendimtar për të çuar përpara me formimin e organeve qeverisëse të drejtësisë”.
Përbërja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kolegjial, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë prokurorë nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të drejtësisë dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Anëtarët prokurorë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve. Pesë anëtarët e tjerë joprokurorë përzgjidhen përmes një procesi të hollësishëm, por emërimi përfundimtar i tyre bëhet nga Parlamenti.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com







