Kandidatja për komisionere e Zgjerimit në BE: Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të mbyllen deri në vitin 2027

Kandidatja për komisionere e Zgjerimit në BE: Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të mbyllen deri në vitin 2027

Marta Kos

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së. Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre. Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit. Por, nuk është e qartë nëse Kos do të emërohet, pasi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin. Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Festa e Krishtlindjes në Lushnjë, mbahet mesha në Kishën e Shën Gjergjit

Festa e Krishtlindjes në Lushnjë, mbahet mesha në Kishën e Shën Gjergjit