Braktisën gjithçka për të shëtitur botën, çifti amerikan në 'Rreze Dielli' i mahnitur nga Shqipëria: Ky vend plot energji

Një çift krejt i pazakontë ishte i ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV. Danyelle dhe Tristan Pollock, që të dy shtetas amerikanë kanë lënë pas jetën e tyre në San Fransisko për të udhëtuar botën dhe aktualisht ndodhen në Shqipëri. Menjëherë pas martesës vitin e kaluar, Danyelle dhe Tristan, që të dy sipërmarrës në fushën e IT, vendosën të “braktisin” gjithçka dhe të ndërmarrin udhëtimin e jetës së tyre.

Gjatë bisedës në “Rreze Dielli”, ata treguan udhëtimin e tyre të deritanishëm, ku kanë mundur të vizitojnë 20 shtete vetëm në 5 muajt e fundit ndërsa dhanë përshtypjet e tyre për Shqipërinë.

Mendoj se një nga gjërat më të veçanta për ne është aspekti familjar dhe i komunitetit që shohim. Aktualisht po qëndrojmë afër sheshit Skënderbej dhe shkuam edhe në koncertin e Rita Orës dhe kemi parë edhe ndeshjet e Kampionatit aty dhe duket sikur të gjithë rrinë bashkë, janë të gjitha moshat. Ka foshnje aty, ka gjyshër dhe të gjithë rrinë bashkë, dhe jo thjesht në shesh, por sheh njerëz të ulur nëpër stola, pra është një atmosferë shumë e gjallë

Danyelle Pollock, sipërmarrëse

 

Po, është plot energji, burra të vjetër që luajnë domino ndërsa aty pranë fëmijë që luajnë në parqe. është diçka që nuk e sheh aq shpesh në SHBA sepse gjithmonë e më shumë njerëz duan të shkojnë në shtëpi. Por Tirana është vërtet speciale sepse ka kaq shumë njerëz jashtë dhe që bëhen pjesë e komunitetit dhe janë të dukshëm gjatë gjithë kohës

Tristan Pollock, sipërmarrës

 

Të pyetur se çfarë nuk u pëlqeu gjatë qëndrimit të tyre gati 3 javor në Shqipëri, Danyelle dhe Tristan thanë se trafiku në vendin tonë është një çmenduri ndërsa shumë miq e të afërm i kishin këshilluar që të mos udhëtonin natën nëpër Shqipëri.

Trafiku ka qënë pak çmenduri veçanërisht për ne si këmbësorë. Edhe kur hapet jeshilja që të mund të kalosh në anën tjetër të rrugës, makinat vërshojnë. Mua më kanë goditur dikur në kryqëzim në Kaliforni dhe jam pak e alarmuar duke parë nga do vijnë makinat duke shpresuar që të më shohin. Mendoj se një gjë interesantë është që, përpara se të vinim në Shqipëri, shumë njerëz na thanë që amerikanët nuk duhet të ngasin makinat gjatë natës në Shqipëri. Dhe ne pyesnim po pse?

Danyelle Pollock, sipërmarrëse

Veç Tiranës Danyelle dhe Tristan kanë mundur të shkojnë në disa prej zonave më të bukura të Shqipërisë si liqeni i Komanit dhe bregdeti i Jugut . Ndërsa treguan për udhëtimin e tyre në vendin tonë, Danyelle dhe Tristan thanë se ishin të çuditur pse të gjithë shqiptarët që kishin takuar i pyesnin vetëm një gjë:

Mendoj që gjëja më për të qeshur që na ka ndodhur me shqiptarët deri më tani është që pyetja e parë që na bëjnë është: A jeni vlla e motër? Dhe nuk e kuptoj pse është kjo pyetja e parë

Tristan Pollock, sipërmarrës

 

Edhe pse një mik francez nuk ja kishin këshilluar të vizitonin Shqipërinë, Danyelle dhe Tristan shpjeguan pse zgjodhën vendin tonë, duke thënë se ka shumë europianë që ende e mendojnë Shqipërinë si 30 vjet më parë.

Ka disa arsye pse zgjodhëm Shqipërinë në fakt. Kemi shumë miq që kishin vizituar Kroacinë dhe Greqinë, që konsiderohen si pikat më të bukura turistike, dhe ne thamë: Po ky vendi diku në mes, për të cilin nuk flitet dhe aq shumë. Duhet të ketë diçka interesante aty

Danyelle Pollock, sipërmarrëse

 

Pas Shqipërisë, Danyelle dhe Tristan do të vijojnë udhëtimin e tyre drejt Greqisë ndërsa kanë vendosur që pjesën tjetër të vitit ta kalojmë nëpër Europë. Që të dy u shprehën se duan shumë Tiranën dhe do të donin të riktheheshin, mbase për të qëndruar edhe më gjatë.

Po mendojmë se kush mund të jetë shtëpia jonë ndërsa udhëtojmë. Dhe jemi të hapur për çdo vend, në fakt sdo të na vinte keq pot ë ktheheshim në Tiranë dhe të qëndronim këtu. Ne e duam Tiranën

Tristan Pollock, sipërmarrës

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë