'Zëdhënësi i im, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një ambasade të huaj në Tiranë' kështu është shprehur Presidenti Meta me anë të një reagimi në rrjetet sociale.

Sipas Metës, shantazhi ka ardhur në mënyrë që Blushi të heqë një postim të bërë paraditen e sotme për shkak të detyrës. Meta shkruan se shantazhi ndaj Blushit ka ardhur vetëm 30 minuta pas statusit të publikuar për arsye pune.

Ndërkohë Meta shkruan se ka kërkuar që për këtë rast të nisin hetimet e menjëhershme. Ne fund Meta thumbon mazhorancën duke thënë se shpreson të jetë një lojë e Rilindjes. Ai është treguar edhe njëherë i ashpër me diplomatët  e huaj duke thënë se mjerë ata nëse e kanë kërcënuar zëdhënësin Blushi.

"Po, zëdhënësi im, z.Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash. Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës." shkruan Meta.Pak orë më parë Tedi Blushi reagoi me anë të një statusi në rrjetet sociale ku hidhte sulme ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj Ambasadës Amerikane.

Reagimi i mëparshëm i Blushit:
Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Laë” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!