Gjykata e Apelit në Ankona të Italisë i ka garantuar mbrojtje ndërkombëtare një shtetasi shqiptar i cili ishte i dënuar në Itali me 14 vite burg për vrasje, por që rrezikohet nga ligjet e Kanunit.

Mediat italiane shkruajnë se Kanuni nuk i përket vetëm historisë, por ekziston brenda kufijve të shtetit shqiptar.

Për shkak të rrezikut që vjen nga Kanuni Gjykata e Apelit në Ankona ka pranuar kërkesën e shtetasit shqiptar emri i të cilit nuk bëhet me dije duke i garantuar atij mbrojtje ndërkombëtare, pasi ai nuk mund të kthehet në Shqipëri e ndoshta është i rrezikuar edhe në shtetin fqinj.

Por cila është historia e shqiptarit?
Cdo gjë nis natën e Krishlindjeve në vitin 2002 ku përballë një bari në Perugia shqiptari Alfred Gega humbi jetën gjatë një atentati të ideuar nga 7 shqiptarë të tjerë.

I gjithë episodi ishte një larje hesapesh mes bandash, çështje nderi, shkruhej në atë kohë në media.

Dhe pas 14 vitesh burg,pasi ka kryer dënimin në Itali njëri nga 7 autorët e asaj nate, i cili nuk ishte ekzekutori, del nga burgu.

Por edhe jashtë burgut për të nuk ka liri, pasi ekziston  hakmarrja e familjarëve të të vrarit të cilët mezi presin të vendosin drejtësi.

Në kushte të tilla citojnë mediat italaine shqiptari duke patur frikë të kthehet në Shqipëri kërkon ndihmën e autoritetevë italiane për ti garantuar mbrojtje ndërkombëtare.

Gjykata e Apelit, në vendimin e saj i referohet tekstualisht Kanunit dhe rreziqeve që sjell kthimi i tij në Shqipëri. 

Në këto kushte, tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Ankonës kanë vendosur që shtetasit shqiptar t’i ofrohet mbrojtja për çështje humanitare.

Pas këtij vendimi mediat italiane tashmë po ngrenë të tjera pikëpyetje  se a duhen dhënë të tilla mbrojtje duke argumentuar se shqiptarët janë një nga popujt kryesorë të cilët kërkojën azil në vendet evropiane.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com