Koncerti i Kanye WestTiranë ka tërhequr më shumë të huaj sesa finalja e Conference League, të cilët kanë blerë bileta. Kryeministri Rama ka ndarë pamjet e stadiumit të ndërtuar posaçërisht për koncertin e 11 korrikut, i cili duket të jetë drejt përgatitjeve të fundit.

“Mirëmëngjes, dhe me stadiumin e ngritur enkas për koncertin më të madh që ky vend ka parë ndonjëherë, për të cilin janë blerë nga të huajt më shumë bileta sesa për finalen e Conference League në Tiranë, e i cili do ta kthejë Tiranën të shtunën, më 11 korrik, në kryeqytetin botëror të spektaklit muzikor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

Eagle Stadium, i cili ndodhet pranë autostradës Tiranë-Durrës, do të presë rreth 60 mijë spektatorë dhe pritet të jetë eventi më gjigant muzikor i organizuar në Shqipëri.

Biletat nisin nga 120 euro, ndërsa ato VIP arrijnë deri në 339 euro. Shfaqja në Tiranë është pjesë e turit botëror të reperit për vitin 2026 që është pritur me polemika në disa vende të botës. 

Megjithatë, një muaj më parë, West mbajti një koncert në Stadiumin Olimpik Atatürk në Stamboll, ku sipas organizatorëve morën pjesë rreth 118 mijë spektatorë dhe sipas artistit, u thye rekordi i numrit më të lartë të fansave në një stadium.

Organizator i koncertit në Tiranë është kompania “Streetlife”, me bazë në Berlin, e cila ka organizuar më herët koncerte të artistëve si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj. Në Shqipëri, eventi mbështetet nga Redcloud dhe Live Label.