Defekti teknik që paralizoi për disa orë sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe ka prekur edhe fluturimet me Shqipërinë. Nga një vëzhgim në faqen e përditësuar të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të paktën 7 fluturime në linjat me Londrën dhe Mançesterin janë përballur me anulime ose vonesa të gjata.
Në total, 3 fluturime janë anuluar dhe 4 të tjera janë vonuar, duke prekur udhëtarët në të dyja drejtimet mes Shqipërisë dhe Britanisë. Bazuar në kapacitetin e avionëve që përdoren zakonisht në këto linja, situata mund të ketë prekur rreth 1.500 pasagjerë, nëse fluturimet kanë qenë pranë kapacitetit të plotë.
Nga fluturimet që mbërrinin në Tiranë, u anulua British Airways BA378 nga aeroporti Heathrow, i planifikuar të mbërrinte në orën 23:05, si dhe Ryanair UK RK8292 nga Mançesteri, me mbërritje të planifikuar në orën 21:30. Ndërkohë, fluturimi Wizz Air UK nga Londra Luton drejt Tiranës, që duhej të mbërrinte në 18:35, u shty me mbi 4 orë për pas mesnate.
Probleme pati edhe në nisjet nga Tirana. Fluturimi Wizz Air UK W95005 për Londër Luton, i planifikuar të nisej në orën 19:10, është shtyrë për në 01:00 të mëngjesit. Edhe fluturimi Wizz Air UK W95006, që duhej të nisej në 20:00, është vonuar për në 00:30. Fluturimi Ryanair UK RK8293 për Mançesterin është anuluar, ndërsa fluturimi Wizz Air UK W5460 për Londër Luton, i planifikuar për në orën 00:30, është vonuar për në 01:40.
Problemet u shkaktuan nga një defekt teknik në sistemin e National Air Traffic Services (NATS), që menaxhon kontrollin e trafikut ajror në Britani. Defekti çoi në anulimin e mbi 650 fluturimeve në të gjithë vendin, ndërsa NATS njoftoi më vonë se problemi ishte zgjidhur dhe sistemi kishte nisur të rikthehej gradualisht në funksion. Pasagjerëve u rekomandohet të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.
Lajmi kryesor:
Britania në kaos pas defektit në kontrollin ajror! Anullohen mbi 1.100 fluturime, 170 mijë pasagjerë të bllokuar! Priten vonesa zinxhir në Europë











