TIRANË- Qytetarët që qëndrojnë prej 4 ditësh në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës duhet të kuptojnë se Greqia po zbaton rregullat e përcaktuara nga BE për të gjitha vendet anëtare të saj. Sipas këtyre rregullave, çdo shtetas që futet në Greqi, qoftë nga kufijtë shqiptarë apo edhe nga kufijtë e shteteve të tjera, duhet të kryejnë testin anti-COVID dhe duke nisur nga data 16 gusht do të duhet të karantinohen për 7 ditë.

Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme, me qëllim reduktimin e numrit të qytetarëve që qëndrojnë në pritje, por duke filluar nga nesër, kush hyn në Greqi do të duhet të futet në karantinë 7 ditë.

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor. Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19", njofton Ministria.

Të gjithë ata qytetarët të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:

- Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
- Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
- Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).
- Testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund t'i gjeni në faqen zyrtare.
 

Qytetarët që duhet të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian janë të detyruar që përveç dokumente të nevojshme për udhëtim duhet të bëjnë edhe testin e COVID-it që është i vlefshëm për 72 orë deri sa të paraqitën në kufi. Report TV u interesua pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të informuar qytetarët se ku mund ta bëjnë tamponin. Autoritetet kanë licensuar 4 laboratorë për të kryer testin, dy shtetërorë dhe dy privatë. Laboratori i ISHP dhe QSUT ndërsa në privat tamponi mund të bëhet në spitalin Intermedica, Center sh.p.k, me Nr. License LN – 8598-09-2019, me adrese: Rruga “Jordan Misja”, Tiranë. Por ministria sqaroi se për të udhëtuar jashtë shtetit testi i COVID-it mund të bëhet vetëm në laboratorët privatë, pasi në ato shtetërore analiza bëhet vetëm si rezultat i hetimit epidemiologjik apo qytetarët shfaqen shqetësime.  

Ndërkohë kujtojmë se nesër është e diel dhe pala greke mund të punojë me staf të reduktuar. Pas të gjitha këtyre fakteve të renditura, por dhe thirrjeve të përsërtituara të autoriteteve shtetërore shqiptare qytetarët duhet të heqin dorë së qëndruari në radhë në temperatura tejet të larta dhe të kthehen ne banesat e tyre në Shqiperi duke pritur me durim deri në plotësimin e kushteve të reja për t'u rikthyer në Greqi pa radhë. Absurditeti i kësaj situate është se njerëzit pranojnë të qëndrojnë në radhë prej katër ditësh nën diell dhe në kushte emergjence për të shmangur vetëm 7 ditë karantinim në komoditetin e shtëpisë së tyre në Greqi. Ky është rregulli i ri i autoriteteve greke që nis duke filluar nga e diel.

Sot edhe Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje që qytetarëve që të kthehen në banesat e tyre deri sa të qetësohet situata. Një nga mundësitë që qytetarët mund të zgjedhin është akomodimi i tyre i përkohshëm në hotelet e zonës kufitare dhe në Gjirokastër ose të kthehen në banesat e tyre deri në normalizimin e situatës.

Insistimi për të kaluar kufirin sa më parë duke mos marrë parasysh të gjitha faktet e lart përmendura do të sjellin vetëm lodhje, kequshqyerje dhe stres të jashtëzakonshëm duke marrë parasysh edhe temperaturat e një të nxehti afrikan që ka pushtuar gjatë këtyre ditëve vendin tonë.