Kaosi në kryesinë e Kuvendit, Kushi: Skena të shëmtuara, duket qartë halli i familjes Berisha! Vangjeli: Grupi parlamentar i PD po sillet si gardë personale e ish-kryeministrit

Deputetët e opozitës, përshkallëzuan sot aksionin e tyre duke tentuar të hyjnë me dhunë në ambientet e kryesisë së Kuvendit nga dritaret e institucionit. E ftuar në emisionin “Kontrast” me gazetarin Denis Minga në Report Tv, deputetja e PS Evis Kushi i cilësoi pamjet e sotme si “skena të shëmtuara” të cilat shkaktojnë dëm edhe tek brezi i ri që i ndjek. Ajo tha se vetëm po respektohej rregullorja ndaj deputetëve të opozitës që kanë shkaktuar kaos në seanca plenare.

“Sot ishim dëshmitarë të skenave të shëmtuara më shumë sesa qesharake. Më lejoni ta nis me dëmin që shkakton edhe tek brezi i ri. Po kujtonim pak më parë rastin e nxënësit që i qëlloi me karrige zyshës në klasë. Por kur shohim pamje të tilla në parlament, një deputet i opozitës qëllon me karrige drejt punonjësit të gardës, unë mendoj cili është mesazhi që po i përcjellim brezit të ri? Ato që janë të paparashikueshme, ne nuk kemi sesi t’i shmangim. Ata e harrojnë që kryetarja e parlamentit edhe kur kjo opozitë ishte në qeveri, ndërmorën të njëjtat veprime ndaj deputetëve të tjerë.  Rregullorja që kemi në fuqi është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar nga të gjithë deputetët. Përcakton qartë sesi duhet të sillet deputeti, masat që duhen marrë kur shkelet rregullorja”- u shpreh ajo.

Ndërsa shtoi se e gjithë kjo situatë është krijuar si pasojë e “shqetësimeve personale të familjes Berisha” që sipas saj po tenton ta shpërndajë këtë shqetësim edhe tek i gjithë parlamenti.

“Duket qartë që është halli i familjes Berisha që hallin e tij e ka sjelle tek PD dhe tani kërkon ta sjellë në gjithë familjen e madhe parlamentare. Por ne do të ndërmarrim të gjithë hapat për të vijuar punën në Kuvendin e Shqipërisë”- shtoi deputetja.

Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli tha se grupi parlamentar i PD po sillej si një “Gardë personale” e Berishës duke e njësuar fatin e tyre me atë të ish-kryeministrit. Duke komentuar edhe momentin kur Berisha mbajti fjalim nga dritarja, Vangjeli e cilësoi atë si një “klithmë për ndihmë”.

“Grupi parlamentar i PD po sillet si gardë personale e Berishës. Është njësimi i fatit të një grupi me atë të një individi që tenton ta marrë peng dhe të sillet si Oso Kuka me idenë që të  hidhet në erë gjithçka e të mos dorëzohet. Por në këtë rast SPAK është kirurgu. Më bëri përshtypje pamja e Berishës nga dritarja, njëlloj sikur i ktheu reston Edi Ramës që mendonte se 12 vjet më parë do t’i zinte zyrën. Ata që flisnin nga dritarja nuk kanë pasur fat të mbarë, është më tepër si klithmë për ndihmë për të dalë që andej, jo thjesht për të hyrë. Kundërshtarët e Berishës në mënyrë cinike, do t’i kujtojmë se kanë ngelur edhe 6 dritare të tjera për të folur”- u shpreh analisti.

Duke folur për turin që kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë në qarqe të ndryshme të vendit para mbajtjes së Kongresit të PS, deputetja Evis Kushi tha takimet me mbledhje të Asamblesë së Zgjeruar të PS. Teksa zbuloi detaje nga Kongresi, Kushi tha se do të votohet për sekretariatin e partisë dhe Rama do të shpalosë idetë e tij për qeverisjen në vijim. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:38
Kongresi i PS, Evis Kushi: I gjithë sekretariati do të votohet! Kryeministri do vijojë me turin e Asamblesë së zgjeruar në të gjitha qarqet

 

Duke folur për Kongresin e PS i cili është shtyrë për t’u mbajtur në dhjetor, me qëllim që fokusi aktual të jetë tek buxheti, deputetja Evis Kushi tha se i gjithë sekretariati i partisë do të votëbesohet si dhe do të miratohet platforma e re që po prezantohet nga kryeministri Edi Rama gjatë tureve të tij në qytete të ndryshme.

“Ne do të votohemi, i gjithë sekretariati. Do të miratohet edhe platforma, ato shtyllat që po i prezantojmë në asambletë socialiste. Kryeministri do shpalosë idetë, por në këto javë buxheti do jetë kryefjalë sepse është një buxhet shumë i rëndësishëm.  Turi do të vazhdojë në të gjithë qarqet. Në çdo qark do jetë asambleja e zgjeruar e PS”- tha Kushi.

Ora 19:22
Vangjeli në 'Kontrast': Sot Berisha është njëri nga 2 njerëzit më të trembur në Tiranë

Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Kontrast” në Report Tv se ish-kryeministri Sali Berisha është një nga 2 njerëzit më të trembur në Tiranë, duke iu referuar hetimeve që kanë nisur ndaj tij për ish-kompleksin Partizani.

“Sot doktori është njëri nga 2 njerëzit më të trembur në Tiranë. Tirana do vazhdojë të jetojë nën mallkimin e famshëm kinez “jetofshi në kohë interesante””- u shpreh Vangjeli.

Teksa foli për Kongresin e PS që pritet të mbahet në dhjetor, duke thënë se do të flitet për buxhetin dhe për Reformën në Drejtësi, të cilën Rama në takimin që pati në Fier, e cilësoi si vepër të ndërmarrë nga PS dhe jo nga SHBA e BE, të cilët i konsideroi si mbështetës.

“Do të flitet për buxhetin, por hija e një pushteti tjetër gjithmonë e më hijerëndë në Tiranë, ai i drejtësisë u ndje edhe në takimin e parë në Fier. Për herë të parë kryeministri flet për autorësinë e Reformës. Nëse deri dje ati ishte BE dhe SHBA, këtë herë shkoi më tej dhe rrëfeu një tentativë më revolucionaret në vitin e largët 2007 kur në emër të PS, Edi Rama jo publikisht afroi konsensus të plotë për një pak kombëtar për drejtësinë”-tha analisti.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë