Në një deklaratë përpara gazetarëve, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se seanca e sotme e Kuvendit, e cila nuk është zhvilluar për shkak të kaosit të krijuar nga bllokimi i foltores prej opozitës, “po drejtohej me SMS.” Sipas Bardhit, kryeparlamentari Peleshi merrte urdhra nga Balla.

“Në mënyrë të paprecedentë, kryetari i Kuvendit i mohoi fjalën në bllok deputetëve të opozitës që kishin kërkuar të drejtën e tyre për të folur për procedurë. Kryeministri duhet të paraqitet në seancë plenare për të dhënë llogari mbi kërkesat që qytetarët protestojnë prej 18 ditësh. Arsyeja e dytë ishte propozimi që unë do të bëja në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD për të shtuar në rendin e ditës diskutimet mbi raportin e votuar dje me shumicë dërrmuese nga PE. Kuvendi nuk duhej të kishte asnjë temë tjetër diskutimi. Të mbyllësh Kuvendin që të mos kenë mundësi deputetët e opozitës t’i japin zë qytetarëve, kjo mund të ndodhë vetëm nga një kukull si Niko Peleshi, i Taulant Ballës. Sot seanca drejtohej me SMS. Taulant Balla ka marrë fjalën sa herë ka dashur. Një gënjeshtar i faktuar si Taulant Balla që ka gënjyer Ramën prandaj dhe Rama bëri gafën, dje PE i ka bërë thirrje Ramës dhe mazhorancës socialiste të shfuqizojë ndryshimet për ligjin në zonat e mbrojtura”, tha Bardhi.

Sa për shtyrjen e votimit të rendit të ditës lidhur me amnistinë penale, Bardhi tha se mazhoranca po përpiqet të peshkojë një deputet që të plotësojnë 84 kartonët që i duhen.

“Tani po përpiqen të peshkojnë një tjetër deputet dhe kanë shtyrë votimin. Kuvendi është kthyer në institucion privat ku opozitës i mohohen të drejtat kushtetuese”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

Flamingot ‘futen’ në Kuvend/ PD bllokon foltoren gati 4 orë, mbyllet seanca, votimi në 18:30! Berisha: Të shkarkojmë Ramën! Balla e sfidon: A shkon dot në shesh?