Ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë mblidhen sot për seancën e radhës ku rendi i ditës nis me informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit nga ministri Ferit Hoxha. Kjo konferencë u zhvillua më 26 maj në Bruksel duke i hapur zyrtarisht rrugë mbylljes së grupkapitujve.
Në rend dite është parashikuar zhvillimi i 4 interpelancave, ku në 2 prej të cilave kërkohen shpjegime nga ministrja e Shëndetësisë Evis Sala lidhur me mungesat dhe infrastrukturën shëndetësore në QSUT si dhe për çështjen që pacientët s’mund të bëjnë analiza pas datës 20 të çdo muaji.
Deputeti socialist Erion Braçe kërkon sqarime nga zv/kryeministrja Albana Koçiu për legalizimet e ndërtimeve pa leje. Deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja për masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Siç ishte njoftuar më herët, amnistia penale pritet të miratohet në Kuvend, por pritet rishikimi i datës kufi të 31 dhjetorit 2025 për vendimet e formës së prerë. Si rrjedhojë, kjo do të zbulojë edhe numrin total të përfituesve.
Tre projektligje për Kodin Rrugor, një i fokusuar te disa problematika si tejkalimi i peshave, mosrespektimi i përmasave, mangësia në kontrolle e inspektime, konkurrenca e pabarabartë dhe mospërputhja ligjore. Dy projektligje të propozuara nga opozita fokusohen te automjetet dhe motomjetet elektrike dhe monopatinat, për regjistrimin, qarkullimin dhe përdorimin e tyre nga të miturit.
Gjithashtu do të diskutohen projektligji për energjinë elektrike, informacionin elektrik të transportit të mallrave dhe për sigurimet shoqërore, si dhe 7 projektvendime.
Lajmi në përditësim...
Komente