Komisioni i Etikës përjashtoi me nga 10 ditë nga punimet e Kuvendit, Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën për episodet e rënda të kaosit në seancën e fundit plenare dhe në Komisionin e Medias.

Mes bilbilave zhurmues dhe rrëmujës deputetët penguan mbajtjen e fjalës së presidentit Bajram Begaj në seancën e së hënës, e para e sesionit të ri parlamentar.

Edhe më rëndë, në një përplasje mes vetë opozitës, Bardhi e Noka sulmuan kryetaren e Komisionit të Medias, Flutura Açkën, deputeten e PD, deri duke i shkulur mikrofonin.

Për shkelje në komisionin e Medias janë përjashtuar me nga 5 ditë edhe deputetët Bledian Nallbati dhe Asllan Dogjani.

Komisioni i Etikës ka vlerësuar të mos shkojë në masa më të rënda, edhe pse me rregulloren e re për episode e kaosit parashikohet përjashtimi deri në 2 muaj.