SHKUP- Dy persona të cilët ishin shpallur në kërkim për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovcës që ndodhi vitin e kaluar më 12 prill janë arrestuar nga policia e Kosovës. Ministrja e Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska ka marrë konfirmim nga homologu kosovar Bajram Rexhepi se janë arrestuar dy të pandehurit që përkojnë me përshkrimin e të dyshuarve tek Liqeni i Smillkovcit.

“Kolegu Bajram Rexhepi edhe në bisedën telefonike më ka informuar se policia kosovare ka arrestuar dy persona që përngjajnë me përshkrimin e tyre dhe para policisë janë paraqitur si Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç Ata dyshohen për vrasjen në Liqenin e Smillkovcit, ndërsa pas tyre gjurmonte edhe Interpoli. Me faktin se personat nuk posedojnë dokumente, madje për konfirimimin e identitetit do të bëhen verifikimet e nevojshme dhe gjatë ditës së nesërme do të dalim me më shumë informacione. Në bashkëpunim me autoritetet kosovare do të bëjmë çmos në ekstradimin e tyre sa më të shpejtë në Maqedoni”, ka shkruar ministrja e Brendshme Jankullovska në profilin e saj në Facebook, informon zhurnal. mk

Vetëm disa javë pas kësaj vrasjeje, (12 prill 2012) ku viktima mbetën 5 të rinj maqedonas, Ministria e Brendshme zbatoi aksionin policor "Monstra" ku u vunë në pranga rreth 20 persona nën akuzën se kanë qenë të përfshirë në aktin makabër. Përpos kësaj ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, në atë kohë hodhi akuza dhe se autorët janë edhe islamikë radikal, të cilat më pas u hodhën poshtë.

Në fund, akuza për vrasje dhe terrorizëm i rëndoi Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Rami Sejdiun, Haki Haziri që ndodhen në paraburgim dhe Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, të cilët deri dje gjendeshin në arrati.

Ndërkohë pala mbrojtëse prej disa muajsh ofron prova se bëhet fjalë për proces të montuar pasi prokuroria aktakuzën e ka ngritur në bazë të përgjimit të telefonave celularë.

Sipas mbrojtjes, provat në fjalë nuk japin as edhe një dëshmi mbi përfshirjen e të akuzuarve në këtë vepër ngase bisedat e përgjuara telefonike janë zhvilluar mes anëtarëve të familjeve.
Vrasja në Shkup ngjalli tensione mes shqiptarëve e maqedonasve.

(sg/shqiptarja.com)