ITALI- Karabinierët e policisë në Dueville, gjatë një kontrolli në Monticello, kanë arrestuar në flagrancë një shqiptar që kishte kryer disa vjedhje si dhe qëlloi me armë policinë. Kështu, në pranga ra Gjok Marashi, 18 vjeç, i cili është autor i një tentative vjedhjeje të rëndë dhe marrjen e mallrave të vjedhura si edhe rezistencë ndaj zyrtarit publik apo tentativë për vrasje. Rreth orës 17.00 u raportua në polici se në rrugën “Gorizia” në fshatin Cavazzale të qytetit të Monticellos, është parë një “Mercedez” i zi me disa persona në bord, të cilët ishin përpjekur të grabisnin disa shtëpi. Nga hetimi rezultoi në makina ishte vjedhur në Porcari më 8 janar.

Pas disa minutash policia në Dueville ndaloi 2 persona për një kontroll rutinë, teksa ata menjëherë hipën në mjetin e tyre dhe u përpoqën të largoheshin. Menjëherë patrulla e policisë ka bllokuar rrugën, ku njëri prej tyre ishte në gjendje të ngjitej mbi gardhin e një shtëpie dhe të ikte, i favorizuar nga errësira, ndërsa tjetri është bllokuar nga një prej dy policëve. Sakaq, 18-vjeçari Marashi, në përpjekje për t’u larguar, e ka goditur policin italian disa herë në bark me një kaçavidë rreth 15 cm të gjatë.

Ndërhyrja e kolegut të tij e ka shmangur më të keqen. Nga të gjitha rrethanat e ngjarjes, grupi hetimor i policisë ka përcaktuar se polici i sulmuar nuk ka reaguar me dhunë ekstreme, duke shmangur kështu edhe plagosjen apo eliminimin fizik të shqiptarit. Në raste të tjera, disa nga këto episode të mosbindjes ndaj policëve, kanë përfunduar me vrasje. Dy shqiptarët u identifikuan si përgjegjës për disa grabitje, dhunë, rezistencë, plagosje, etj. Nga kontrollet në Mercedesin e vjedhur u gjetën 6 ora dore, ora xhepi, 2 stilolapsa argjendi, etj.


Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)