DURRËS- Një hajdut banesash është arrestuar në qytetin e Durrësit. 33-vjeçari Andrea Shahai ka vjedhur banesën e një turkeje. Kjo e fundit ka denoncuar në polici, ndërsa nga banesa i riu kishte arritur të vidhte dy aparate celular dhe një sasi parash.
Pas kësaj, ai ishte futur në një tjetër banesë për të vjedhur. Por, këtu është hasur me rezistencën e pronarit, të cilin e ka goditur me grushte.
Por, blutë e Durrësit kanë arritur që ta arrestojnë në flagrancë. Ndaj tij rëndojnë veprat penale "Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë" mbetur në tentative.
“Strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Durrës si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen e vjedhjes së banesës së një shtetaseje truke, banuese në lagjen nr. 14 Durrës, duke identifikuar autorin e dyshuar. Shërbimet e Policisë janë vënë në kërkim të autorit, ku gjatë kontrolleve për kapjen e tij, kanë marrë informacion se autori i dyshuar i vjedhjes ishte futur në një banesë tjetër për të vjedhur.
Bazuar mbi këto informacione dhe të telefonatës të bërë nga i zoti i banesës, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në kohë reale në banesën e shtetasit F.A, ku kanë kapur dhe prangosur në flagrancë shtetasin: Andrea Shahai, 33 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës.
Nga verimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas në tentativë për të vjedhur ka goditur me grushte shtetasin F.A , por ndërhyrja në kohë e Policisë, bëri të mundur parandalimin e vjedhjes dhe të përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij rasti. 33-vjeçari më parë dyshohet se ka vjedhur në banesën e një 31-vjeçareje nga Turqia me banim në Durrës, dy aparate celular dhe një sasi parash”, njofton policia.
Materialet procedurale dhe i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.