Një ndër terroristët më të kërkuar të drejtësisë greke, Nikos Maziotis, është arrestuar prej policisë mesditën e së mërkurës, në qendër të kryeqytetit helen, Athinë. Sipas policisë greke, Maziotis së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij tentuan të grabisnin një bankë në qendër të Athinës, por prania e policisë në zonë bëri të mundur arrestimin e tij. Kreu i organizatës terroriste “Lufta Revolucionare” kërcënoi me armë dhe qëlloi mbi policinë.

Ai hapi zjarr me një pistoletë, duke plagosur një polic, si dhe një kalimtar të rastit, përpara se të rrëzohej i plagosur prej plumbave të policisë greke. Një granatë që terroristi hodhi mbi policinë, për fat të mirë nuk shpërtheu.