Kryeministri tha se ishte aty për tu përulur me mirënjohje dhe për t’i treguar se qeveria i mbështet dhe nuk harron detyrën e vështirë që ato kanë duke vënë në rrezik jetën në përballje me krimin.
Ai garantoi mbështetjen e plotë e të palëkundur jo vetëm duke mos i tradhëtuar por duke rritur dhe përfitimet e tyre financare që nga viti i ardhshëm. Madje Rama kërkoi dhe mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë, që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare është i vështirë, përmirësimi i kushteve financiare për policinë e shtetit të jetë i pari, qysh vitin tjetër kur ndoshta të tjerët duhet të presin pak.
“Ajo që ju dëshmuat duke kthyer prapa hekurave një grusht kriminelësh shumë të rrezikshëm është pathyeshmëria juaj dhe e shtetit përballë kujto që sfidon ligjet e bashkëjetesës dhe kërcënon shoqërinë. Këtë pathyeshmëri duam të nderojmë, të përkrahim e forcojmë bashkë me ju. Sigurisht i kemi detyrat e ndara, ju e keni të vështirë se sa herë që e keqja shfaqet, duhet t’i dilni përballë duke vënë në rrezik vetë jetën tuaj. Ju këtë e bëni në mënyrën më të shkëlqyer siç e bëtë në ato pak ditë kur dëshmuat se asgjë nuk mund t’ju zbrapsin në rast se ata që ju japin urdhrat nuk ua kanë me hile por janë në lartësinë e aspiratave e nevojave të këtij vendi.
Detyra jonë nuk është më pak e lehtë në kushtet e vështira ekonomike, financiare e morale për një shtet që po përpiqemi ditë natë ta rikthejmë në krye të detyrës, kemi detyrën që tju bëjmë të ndiheni përditë e më mirë jo vetëm moralisht por dhe ekonomikisht. Por kjo nuk është e lehtë pasi objektiviteti i kushteve ku ndodhemi imponon shumë pamundësi, por nuk është as e pamundur. Ju siguroj se jemi 100% të angazhuar dhe më besoni asnjë ditë nuk e harrojmë dhe as unë vetë e harroj se duhet të bëjmë më shumë për ju.
Jam i bindur që ju i dini vështirësitë i mirëkuptoni problemet e mëdha që kemi përballë të trashëguara nga e shkuara por e të diktuara nga vështirësitë e një vendi që ende nuk ka kapërcyer tranzicionin, dhe jam plotësisht i bindur se ajo që ju bëni dhe kjo vepër e jashtëzakonshme që ju bëtë ditët e fundit do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë, që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare është i vështirë, përmirësimi i kushteve tuaja financiare të jetë e para që ne do të bëjmë qysh vitin tjetër kur ndoshta të tjerët duhet të presin pak dhe me mirëkuptim të pranojnë se Policia e Shtetit dhe Forcat Special janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financier. E di që kur keni hyrë në radhët e policisë së shtetit nuk ju ka shtyrë përfitimi financiar, por pasioni për tu bërë polic i shtetit. “- tha Rama.
RAMA: JU PERULEM ME MIRENJOHJE , TE PERKUSHTUAR NDAJ JUSH
"Është realisht e vështirë të gjesh aq fjalë sa duhen për t’ju shprehur sot gjithë nderimin dhe njëkohësisht falenderimin për atë që ju bëtë në vetëm pak ditë pas një lajmi tronditës që shqetësoi të gjithë shoqërinë.
Sepse asnjë fjalë nuk mund dot të përshkruajë qoftë shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë me të cilën ju përballeni, qoftë përmasën e kësaj vepre të shkëlqyer që vutë në jetë. Unë dëshirova me gjithë zemër të isha këtu, në këtë ditë që për koicidencë fatlume përkon me çlirimin e vendit, dhe t’ju përulem me mirënjohje, duke ju shprehur jo vetëm nderimin me fjalë por dhe përkushtimin tonë e timin që ju dita ditës të ndiheni të gjithë rëndësinë që ka për ne ajo që ju bëni çdo ditë.
Jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballeni në punë e në familjet tuaja, por ajo që ju bën të gjithëve të veçantë është fakti se pavarësisht vështirësive përpara të cilave shumë kush mund të dorëzohej, pasioni juaj për t’i shërbyer detyrës që keni marrë përsipër e asaj ëndrre, që ju ka sjellë në radhët e policisë së shtetit është më i madh se çdo vështirësi.”- tha Rama.
“Më lejoni që sot në këtë ditë të bekuar të vendit të përulem me mirënjohje mnë emër të gjithë atyre që u tronditën nga lajmi i keq i arratisjes së 7 të burgosurve të rrezikshëm dhe në emër të atyre që çdo ditë ndjejnë nevojën e Policisë së Shtetit në krah të tyre përshkak se përballen me lloj lloj rrugacësh e kriminelësh. Në këto ditë dua tju them se ju jo vetëm e çliruat shoqërinë nga një ankth i shkaktuar natyrshmë nga lajmi i keq por dhe se ditët e muajt në vijim falë jush e Policisë së Shtetit rikthejmë në kohën e çlirimit përfundimtar nga ankthi që krijon superioritet i krimit ndaj shtetit, ankthi që krijojnë vrasjet, përdhunimet, dhunimet dhe grabitjet.”- tha më tej Rama.
RAMA: NUK DO JU TRADHETOJME KURRE
“Jam i bindur se në detyrat tona të rëndësishme së bashku do të bëjmë më të mirën të ndihemi krenar pikërisht për kryerjem me përkushtim e cilësi dhe vetëdije të lartë atdhetare të një detyre që është privilegj, ai për ti shërbyer një populli të tërë dhe familjeve të thjeshta dhe shpeshherë të pambrojtura.
Do bëjmë gjithçka për kushtet tuaja vetjake të familjes, bashkëjetesës brenda kësaj force të madhe, duke qenë të bindur se do të mirëkuptoni çdo vështirësi. Të jini të sigurtë se që nga dita e parë në këtë detyrë ne kemi plotësur e do ta plotësojmë një kusht themelor: Nuk do ju tradhëtojmë kurrë, dhe nuk do ua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur, që të përsëritet tradhëtia që në të shkuarën e ka bërë Policinë e Shtetit të dobët dhe të pafuqishme dhe humbëse karshi të keqes dhe gjithfarë kriminelësh që përballë jush nuk kanë pasur avantazhin e zgjuarsisë, apo forcës, por fatkeqësisht kanë pasur në momentet kulmore avantazhin e të mbuluarit politikisht përballë jush që në ndeshje me ta keni qenë të zbuluar.
Kjo është vetëm një kujtesë e hidhur e një të shkuare që përsa kohë ne do të jemi në krye të detyrës nuk do të përsëritet kurrë, dhe përsa kohë do të jemi në krye të detyrës çdo njëri nga ju do të jetë njeriu më i çmuar në përballjen me një të keqe që bashkarisht ne do ta zbrapsim, ju duke qenë në vijën e parë të frontit e betejës me krimin dhe pa asnjë dyshim shteti do ta fitojë dhe ne duke qenë në mbështetjen tuaj më të plotë dhe të palëkundur sistematike. “
TAHIRI: GJITHMONE DO JU MBESHTES
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri falenderoi oficerët e policisë, dhe repartin RENEA për punën e shkëlqyer për “një situatë goxha kritike” (siç e quajti ministri) që ndodhi të shtunën dhe nënvizoi se do të kenë mbështetjen e kësaj ministrie.
”Nuk kam fjalë t’ju falenderoj mjaftueshëm edhe pse i di mirë kushtet e punës, kushtet financiare. Sot të gjithë ne kemi pse të ndihemi krenarë për secilin prej jush, dhe unë do jem pranë detyrës tuaj në mënyrë që gjithçka bëni sot për shoqërinë e vendin nesër të jetë për të përmbushur detyrën.”- tha Tahiri.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)